Senegali fitoi me penallti finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës ndaj Egjiptit, teksa triumfoi sërish ndaj kombëtares së Momo Salah në duelin “play-off” për një biletë në Botërorin Katar 2022.
Sërish me penallti festuan Sadio Mane me shokë, të cilët u ndihmuan shumë edhe nga tifozët. Mbi 50 mijë senegalezë morën pjesë në ”Diamniadio Olympic Stadium”, në takimin e 29 marsit.
Dy ekipet siguruan nga një fitore 1-0, dhe sfida shkoi në penallti. Dhjetra lazera shpërqendruan yllin e Liverpoolit dhe shokët e tij të skuadrës. Salah humbi penalltinë duke goditur jashtë.
Në fund festuan vendasit, teksa FIFA ka gjobitur me 143 mijë paund Federatën Senegaleze të Futbollit, duke theksuar se organizatorët kanë dështuar në “mbajtjen e rendit dhe ligjit” në stadium.
Akuza të ashpra pasuan ndeshjen, me Federatën Egjiptiane të Futbollit që pretendoi se lojtarët e saj ishin viktima të abuzimit racist, ishin goditur me shishe dhe gurë, dhe gjithashtu u shënjestruan nga lazera gjatë gjithë ndeshjes.
Jo vetëm kaq, pasi “Faraonët” u ankuan se autobusi i tyre u sulmua me mjete të forta nga tifozët e egërsuar vendas ndërkohë që po udhëtonin drejt stadiumit. Përveç gjobës së majme, Senegali do të luajë edhe një sfidë me dyer të mbyllura.
Top Channel