Zelensky do “flasë” shqip, Presidenti i Ukrainës do flasë të martën në Parlamentin e Shqipërisë

28/04/2022 15:01

Presidenti Ukrainës Volodimir Zelenski pritet të martën e ardhshme t’i drejtohet parlamentit të Shqipërisë me një fjalë përshëndetëse përmes një video call nga Kievi.

Burime nga kuvendi i thanë Top Channel se është arritur dakortësia me stafin e presidencial ukrainas që Zelenski, përmes një séance të posaçme të mbajë një fjalë në parlament.

Kjo do të jetë hera e parë që presidenti Ukrainës do të flasë për një parlament në Evropën Juglindore. Që prej fillimit të luftës, Zelenski njeriu i kthyer në simbol të rezistencës ukrainase, ka folur për disa parlamente europiane nga ku ka apeluar për më shumë ndihma ushtarake.

Në javën e dytë të pushtimit barbar të Ukrainës nga makineria luftarake ruse, kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Zelenski i cili përmes një mesazhi në Twitter tha se me Ramën “U diskutua për punën e përbashkët në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës”

Ofensiva e përgjakshme ruse në Ukrainë e vendosi Shqipërinë përkrah aleatëve amerikanë duke u kthyer në një zë të fortë denoncues të krimeve të Putinit, në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përveç aspektit diplomatik Shqipëria siç edhe Top Channel raportoi në fillim të Marsit, dërgoi një sasi të madhe fishekësh përmes dërgesave ushtarake të vendeve të NATO-s në ndihmë të Ukrainës.

Qeveria shqiptare miratoi një vendim të shpejtë, për të lejuar qëndrimin e refugjatëve të luftës ukrainas për 12 muaj në vendin tonë pa qenë nevoja e aplikimit për leje qëndrimi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani më shumë se 1000 ukrainas kanë ardhur në Shqipëri për tu strehuar.

Të dielën e shkuar Top Channel përmes programit Excluzive i dedikoi një emision të posaçëm të ardhurve nga Ukraina, të cilët ndjehen tashmë të sigurt në vendin tonë, duke tentuar ndërtimin e një jete të re larg bombardimeve të përditshme të ushtrisë ruse.

Top Channel