Ulet sërish çmimi naftës në vend. Sipas vendimit të ri të Bordit të Transparencës nafta do të shitet për 226 lekë litri, duke reflektuar luhatjet në tregjet ndërkombëtare.
Benzina do të shitet me 206 lekë/litri, ndërsa një ulje e vogël reflektohet dhe te çmimi i gazit, që nga sot në orën 18:00 do të shitet me 103 lekë/litri.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 26 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 26.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
• 214 Lekë/litri për gazoilin;
• 194 Lekë/litri për benzinën;
• 91 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 26.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
• 226 Lekë/litri për gazoilin;
• 206 Lekë/litri për benzinën;
• 103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 26.04.2022, ora 18.00, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.
Top Channel