Një barkë turistike është përplasur me një balenë gjigante gungaçe që e ka ngritur në ajër dhe më pas lëshuar në sipërfaqe duke plagosur pesë pasagjerë, një prej tyre në gjendje serioze.
Incidenti ndodhi pranë brigjeve të Meksikës ku barka u ngrit në ajër pasi goditi aksidentalisht kurrizin e balenës.
Pesë turistë u lënduan në përplasjen e pazakontë, tre prej të cilëve qëndruan në spital dhe një me plagë më të rënda.
Pasagjerët ishin ngritur në ajër kur barka u përplas me balenën gjigante dhe autoritetet thanë se po hetojnë se përse drejtuesit nuk kishin mbajtur distancën e sigurisë nga kafsha.
Mbrojtja civile vendore shpërndau pamje të incidentit ku turistët dukej se përplaseshin në tendën e barkës pas përplasjes.
Zëdhënsi Benjamin Garcia tha për mediat lokale se operatoret e barkës mund të mos kenë ditur per praninë e balenës.
“Tre njerëz u shtruan në spital, një prej tyre është në gjendje të rëndë, dy të tjerët u trajtuan nga autoritetet e portit”.
Garcia shtoi se marina meksikane erdhi shpejt për të dhënë ndihmë duke dërguar turistët në qendrat mjekësore, ndërsa për incidentin do të hetohet nga prokuroria e përgjithshme.
Nuk është e qartë nëse balena është palgosur nga përplasja por hetimi ka si qëllim nëse operatori i barkës ka gabuar me limitet e shpejtësisë gjatë ngjarjes.
Lundrimet turistike për të shikuar balenat janë nga atraksionet kryesore në rajonin e Baja dhe përplasje të tilla kanë nisur të shpejtohen gjatë viteve, veçanërisht në ujërat e ngrohtë dhe plot ushqim që i bëjnë vendet mjaft të preferuara për balenat.
Top Channel