Trump rikthen pretendimet për Groenlandën: Duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së, jo të Danimarkës

07/07/2026 17:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer deklaratat e tij për Groenlandën, duke theksuar se territori duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe jo të Danimarkës.

Duke folur në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi, Trump u tha gazetarëve se Groenlanda ka një rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në dhe kritikoi Kopenhagenin për mënyrën se si, sipas tij, menaxhon territorin gjysmë-autonom.

“Duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara, jo nga Danimarka”, deklaroi Trump gjatë një takimi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas presidentit amerikan, çështja e Groenlandës ka ndikuar edhe në marrëdhëniet e tij me aleatët e NATO-s. Ai argumentoi se Danimarka nuk po investon mjaftueshëm për zhvillimin dhe mbrojtjen e ishullit, ndërsa paralajmëroi për praninë në rritje të anijeve kineze dhe ruse në rajon.

Trump theksoi se SHBA-ja nuk do të lejojë që Groenlanda të bëhet objekt i ndikimit të fuqive rivale, duke shtuar se Uashingtoni shpenzon miliarda dollarë për mbrojtjen e aleatëve nga Rusia.

Pretendimet e përsëritura të Trump për Groenlandën kanë shkaktuar tensione mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit, si edhe reagime në Evropë, pasi Danimarka ka refuzuar vazhdimisht çdo ide për dorëzimin e kontrollit mbi territorin.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se dialogu mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës vazhdon në baza mujore, ndërsa çështja mbetet pjesë e diskutimeve diplomatike mes palëve.

Top Channel