Sipas sondazheve në Francë, Emmanuel Macroni shkon në balotazhin e së dielës (24.04.) përballë Marine Le Penit me një përparësi të rehatshme prej 13 përqind.
Macroni prin me 56% të votave, por vitet e fundit kemi pasur disa rezultate të papritura votimesh, si p.sh. në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, thotë Dw e në Francë ka ende shumë zgjedhës të pavendosur.
Raundi i parë i votimit në Francë, përfundoi me vetëm katër përqind dallim mes Macronit (27,6 %) dhe Le Penit (23,4 %).
Këto rrethana dhe pesha e Francës në BE i shtynë tri kryeministra të majtë të Evropës për një hap të pazakontë: me një deklaratë të botuar në disa gazeta evropiane Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës dhe António Costa, kryeministri i Portugalisë bënë thirrje publike për të votuar për Macronin.
Në thirrjen e tyre, tre kryeministrat shkruajnë se vota e së dielës është “kritike për Francën dhe për secilin prej nesh në Evropë”.
Ata theksojnë se populistët dhe e djathta ekstreme e shikojnë Putinin si model ideologjik dhe politik, duke u bërë jehonë ideve shoviniste të tij.
“Nëse zgjedhjet të dielën do t’i fitonte Marine Le Peni, pritet që ajo të ndjekë një politikë të izolimit të Francës në BE. Le Peni kërkon që ligjet franceze të kenë prioritet ndaj atyre të BE, në të gjitha rrethanat. Ajo është skeptike ndaj të huajve. Sipas saj, vetëm ata që janë qytetarë francezë duhet të kenë prioritete të padiskutueshme: p.sh. në aplikimet për vende pune, në përfitimet sociale, qëndrim ky që bie ndesh me njërin nga parimet bazë të BE: me lëvizjen e lirë të qytetarëve në BE, si edhe me funksionimin e tregut të brendshëm. Le Peni është për “Evropën e atdheve. Franca, e para! Franca është ekonomia e dytë e BE dhe fuqia e vetme bërthamore e BE. Edhe pse magjinë e mandatit të parë Emmanuel Macroni nuk e ka më”, thonë analistët, ai mbetet aktualisht shpresa e vetme për Francën dhe vetë BE-në, ndaj dhe suksesi i tij të dielën është shumë i dëshiruar në Europë.
Top Channel