Një pronare e njohur restorantesh në Britani është qëlluar për vdekje nga nipi i saj që “ishte bërë i varur nga kanabisi”, u tha sot në gjyqin e tij.
69 vjeçarja Sue Addis, pronare e restoranteve të njohur Donatello’s e Pinoçhio’s në qytetin bregdetar të Brighton u sulmua për vdekje nga nipi 17 vjeçar Pietro teksa ishte në vaskë, në shtëpinë e saj me vlerë 1 milionë paundë.
Ajo ishte goditur 17 herë me thikë në sulmin brutal, dhe më pas ishte lënë të vdiste në vaskë, u dëgjua të thuhej në gjyq.
Më pas ai kishte thirrur numrin e emergjencës 999 duke thënë: “Po ju telefonoj për t’u dorëzuar, ka ndodhur një vrasje”.
Sot Pietro Addis, tashmë 19 vjeç, doli në gjyq për vrasjen e gjyshes së tij gjatë periudhës së izolimit të pandemisë, më 7 janar të vitit të shkuar.
Ai shihej i përlotur në bankën e të akuzuarve teksa lexoheshin detajet e vrasjes makabre. I riu jetonte fillimisht me babanë e tij Leo dhe njerkën gjatë izolimit në Brighton.
Ai studionte për t’u bërë kuzhinier në Brighton, dhe punonte në restorantet e familjes.
Por në muajt para vrasjes i riu kishte nisur të bëhej i varur nga tymosja e kanabisit dhe sjellja nisi të përkeqësohej deri sa nisi të mos paraqitej më për punë në restorantin e familjes.
Kjo kishte shkaktuar disa përplasje të ashpra me familjarët prandaj ata vendosën që të shkonte të jetonte me gjyshen në vilën e saj luksoze në Withdean, Brighton.
Zonja Addis ishte një figurë e respektuar në komunitetin e biznesit në Brighton pasi kishte hapur restorantet e saj të para Donatello’s e Pinocchio prej viteve 1980-të.
Tre djemtë e saj Leo, Stefano e Mikele punonin në restorantet e njohura bregdetare ku vinin shpesh emra të njohur të sportit e showbiz-it britanik.
Addis pranon akuzën e vrasjes nga pakujdesia por jo atë të vrasjes.
Gjyqi vazhdon.
Top Channel