Barcelona dhe Eintracht Frankfurt do të takohen në Camp Nou për aktin e dytë të çerekfinaleve të Europa league, në një përballje tepër interesante kjo edhe nga rezultati i ndeshjes së parë.
Skuadra gjermane barazoi 1-1 në shtëpi një javë më parë me skuadrën e Xavit dhe beson se mund të bëjë një nga surprizat më të mëdha të edicionit, pikërisht në Katalonjë. Blaugranat nuk humbasin që nga 20 janari dhe kanë treguar një fytyrë krejt tjetër në pjesën e dytë të sezonit dhe me të drejtë konsiderohen si ekipi favorit për të fituar trofeun e Europa League. Të besuarit e Oliver Glasner do të kërkojnë gjithçka, edhe pse vijnë pas humbjes në kampionat me Freiburg.
Në Bergamo të Italisë po ashtu luhet një sfidë që pritet me shumë interes. Leipzig do të matë forcat me Atalantën pasi barazoi në shtëpi 1-1 në takimin e zhvilluar. Ekipi i Gasperinit nuk ka marrë fitore në tre ndeshjet e fundit e përballë do të ketë një skuadër që humbjen e fundit e ka regjistruar në fillim të shkurtit ndaj Bayernit. Atalanta nuk ka pësuar asnjë humbje në ndeshjet si pritëse ndaj skuadrave gjermane e do të tentojë të vijojë me këtë ritëm edhe ndaj Leipzig. Skuadra bergamaske pritet që të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin e Shqipërisë Berat Gjimshiti, i cili e ka lënë pas dëmtimin që pësoi.
Po në barazim 1-1 u nda dhe sfida e zhvilluar në Londër mes Lyon dhe West Ham, duke lënë gjithçka të hapur për takimin që do të luhet në Francë. Skuadra angelze ka treguar dobësi jashtë fushe këtë edicion, teksa ka regjistruar 5 humbje radhazi së fundmi, ndërsa suksesin e fundit jashtë shtëpi e ka regjistruar në 1 janar ndaj Crystal Palace, por në anën tjetër as Lyon nuk ka bërë një sezon dhe aq të mirë, teksa e sheh veten në vendin e 10-të të Ligue 1, duke treguar mungesë stabiliteti.
Skuadra e vetme që arriti të marrë fitoren në ndeshjet e para ishte Braga e cila mundi 1-0 Rangers në Skoci e në takimin e kthimit zbret si favorite në fushën e lojës.
Top Channel