“Një e keqe që nuk njeh kufij”, i tronditur, presidenti Volodimir Zelensky dënoi me fjalët për të forta sulmin me raketa në stacionin e trenit të Kramatorskut, në lindje të Ukrainës, të ndodhur në kohën e evakuimit të civilëve, dhe në ditën kur pikërisht drejt Kievit udhëtojnë po me tren, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe shefi i Politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Pa forcën dhe guximin për t’u përballur me ne në fushën e betejës, rusët tani, në mënyrën po cinike po e kthejnë urrejtjen e tyre nga popullata civile. Kjo e keqe nuk ka limite, e nëse nuk ndëshkohet, nuk do të ndalet kurrë”, thotë Zelensky.
Kompania shtetërore e hekurudhave njoftoi se mbi 30 persona u vranë dhe 100 të tjerë u plagosën nga sulmi në stacionin e trenit. Guvernatori i Donjeckut pohon se mijëra vetë kanë qenë aty në kohën e sulmit, të cilët po tentonin të largoheshin me tren.
Kramatorsku kishte një nga të paktët stacione që kanë vazhduar të operojnë në këtë pjesë të vendit, dhe shihet si një prej rrugëve kyçe për evakuimin e civilëve nga rajonet lindore të Ukrainës. Von der Leyen dhe Borell pritet të takohen me Zelenskyn në Kiev. Javën e kaluar, kryeqytetin ukrainas e vizioi edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ndërsa në mesin e marsit, atje udhëtuan po me tren kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke.
Perëndimi i ashpërsoi sërish sanksionet mbi Moskën pas imazheve që tregojnë për ekzekutime të civilëve në rrugët e Buças. Pikërisht si përgjigje ndaj këtyre mizorive të dyshuara ruse, von der Leyen propozoi paketën e pestë të sanksioneve të bllokut për të shënjestruar Rusinë.
Top Channel