Pas më shumë se dy vjetësh punë të palodhur dhe dhjetëra mijëra dollarë të investuar në start up-in e tij, sipërmarrësi rus i teknologjisë, Sergei Krupnik, filloi të shihte një shkëlqim drite në fund të tunelit.

Kompania e tij, Travers, që lidh individët me trajnerët sportivë, pati një sezon dimëror të shëndetshëm, me rreth 150 instruktorë të skive dhe dëborës, si dhe me regjistrimin e mijëra njerëzve që shpresonin të përmirësonin aftësitë e tyre në shpate, shkroi ai në një postim të 16 marsit në një faqe interneti kushtuar teknologjisë dhe kapitalit sipërmarrës.

Projekti – i cili ka analogë të suksesshëm në perëndim si SkiBro – kishte filluar të dukej ekonomikisht i qëndrueshëm dhe ai po përgatitej të kërkonte investime për të rritur biznesin, shkroi ai.

Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ndryshoi gjithçka.

Vendet perëndimore vendosën sanksione dërrmuese ndaj Rusisë për sulmin e saj të paprovokuar dhe kompanitë e huaja filluan të tërhiqen nga vendi, duke e vendosur ekonominë e saj në rrëmujë dhe duke i bërë investimet në sektorin e teknologjisë, jotërheqëse.

Tri ditë më vonë, duke parë një të ardhme të zymtë në shtëpi, Krupnik ngriu projektin e tij dhe më 9 mars ai iku në Turqi.

“Imagjinoni rezultatin e dhjetë vjetëve punë të ndershme dhe të palodhur në Rusi dhe në një vend të zhvilluar. Në cilin rast do të ishit më mirë? Nuk dua të vrapoj më vetëm për të qëndruar në vend. Unë nuk do t’i kaloj 10 vjetët e mia të ardhshme në Rusi”, shkroi ai, duke shtuar se emigracioni kishte qenë në mendjen e tij prej kohësh për shkak të klimës së dobët të investimeve në vend dhe mungesës së fjalës së lirë.

Krupnik është vetëm një nga dhjetëra mijëra punonjës dhe sipërmarrës rusë të IT-së që kanë ikur nga atdheu i tyre që nga fillimi i luftës.

Eksodi vazhdon, dhe mund të ketë pasoja të thella për rritjen ekonomike afatgjatë të Rusisë dhe sigurinë kibernetike, thonë ekspertët.

Artyom Saprykin, një zhvillues softuerësh 28-vjeçar nga Ufa, kryeqyteti i rajonit të Bashkortostanit në Vollgë, tha për Radion Evropa e Lirë se iku në Armeni më 15 mars, duke ndjekur gjurmët e shumë miqve.

“Unë nuk shoh më perspektivë në Rusi. Me një grup sanksionesh të tilla, [Perëndimi] ka vënë në thelb një gozhdë në arkivolin e industrisë ruse të IT-së”, tha Saprykin.

“Nuk do të zhvillohet, vetëm do të ngecë”.

Disa nga sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera synojnë industritë bankare dhe të teknologjisë së Rusisë, duke përfshirë ndalimin e eksportit të mikroprocesorëve kritikë për informatikë.

Ndërkohë, firmat kryesore të teknologjisë si Apple, Samsung, Microw, Oracle dhe Cisco – mallrat dhe shërbimet e të cilave janë thelbësore për sektorin e teknologjisë – kanë njoftuar se do të tërhiqen ose ndalojnë operacionet në Rusi.

Muajin e ardhshëm 100 mijë?

Mes 50,000 dhe 70,000 punëtorë të teknologjisë janë larguar nga Rusia që nga fundi i shkurtit, tha kreu i Shoqatës Ruse të Komunikimit Elektronik, Sergei Plugotarenko, në një seancë parlamentare më 22 mars kushtuar ndihmës së industrisë së IT-së për të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar nga lufta dhe sanksionet.

Ai paralajmëroi se një “valë e dytë” prej rreth 100,000 specialistësh të IT-së mund të largohet muajin e ardhshëm.

Kërkesa për specialistë të IT-së është rritur në Rusi ndër vite.
Kërkesa për specialistë të IT-së është rritur në Rusi ndër vite.

Sipas një raporti të publikuar në shtator 2020 nga Shoqata e Kompanive Kompjuterike dhe Teknologjisë së Informacionit me qendër në Moskë, Rusia kishte rreth 1.8 milion punonjës të IT-së, si programues dhe specialistë të sigurisë kibernetike. Rusia, si shumë vende tjera të zhvilluara, është përballur me kërkesën në rritje për ekspertë të IT-së.

Elina Ribakova, zëvendës kryeekonomiste në Institutin Ndërkombëtar të Financave me bazë në Uashington, tha në një raport në fillim të këtij muaji se emigrimi i madh i rusëve të arsimuar, duke përfshirë ekspertë të IT-së, do të ketë efekte afatgjata në rritjen ekonomike të Rusisë.

“Kjo ‘ikje e trurit’ është një nga arsyet pse ne besojmë që rritja potenciale e prodhimit do të ulet edhe më shumë”, tha ajo.

Ka shenja se qeveria është e shqetësuar me këtë dukuri. Putini ka nënshkruar disa masa ekonomike, duke përfshirë një pushim tatimor trevjeçar dhe kredi të subvencionuara për kompanitë e IT-së.

Ai, gjithashtu, ua ka mundësuar ekspertëve të teknologjisë që të heqin dorë nga shërbimi ushtarak.

Ndërkohë, Konkord, një kompani e kontrolluar nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i lidhur me Kremlinin, thuhet se bëri thirrje për kufizimin e emigrimit të talenteve të IT-së, për të mbrojtur “interesat strategjike” të Rusisë.

Në një postim në rrjetet sociale që u fshi më vonë, Konkord tha se po propozonte legjislacionin për t’u kërkuar punonjësve të IT-së të merrnin leje nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) përpara se të largoheshin nga vendi, raportuan mediat ruse.

Një lëvizje e tillë do të kthehej në ditët e BRSS-s, kur emigracioni dhe udhëtimet jashtë vendit ishin të kufizuara me masa të ashpra.

Përveç efekteve në ekonomi, e ardhmja e së cilës është mjegulluar keq nga vendimi i presidentit Vladimir Putin për të nisur pushtimin e Ukrainës, eksodi pritet të minojë aftësitë e mbrojtjes kibernetike të Rusisë.

“Ikja e ekspertëve të IT-së nga Rusia, është një fatkeqësi për ekonominë dhe do të dëmtojë aftësinë e mbrojtjes kibernetike të Rusisë”, tha James Lewis, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington.

“Mungesa e mbrojtjes nga sulmet kibernetike, është problem kudo, dhe ikja e ekspertëve të IT-së e vendos Rusinë në një pozitë të keqe”, tha ai.

Lewis tha se largimet e këtyre ekspertëve, nuk do të kufizojnë krimin kibernetik që buron nga Rusia ose nuk do të ndikojnë në aftësinë e Rusisë për të kryer sulme kibernetike të sponsorizuara nga shteti, të cilat janë bërë një shqetësim kryesor i Perëndimit, sepse njerëzit e përfshirë në këto aktivitete nuk mund të largohen nga vendi lehtë, sepse rrezikojnë të arrestohen.

Zhvendosje e vendit të punës?

Derisa disa, si Krupnik, po largohen vetë për t’u shpëtuar efekteve të sanksioneve në jetesën e tyre, si dhe shtetit gjithnjë e më autoritar, shumë prej atyre që punojnë për firmat perëndimore po u kërkohet të zhvendosen në vende të tjera.

Gjatë dy dekadave të fundit, gjithnjë e më shumë firma perëndimore kontraktuan ekspertë të teknologjisë në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi, ku ka pasur grupe të mëdha talentesh të kësaj fushe në dispozicion, me kosto më të ulët se në Shtetet e Bashkuara ose Evropë.

Sipas ekspertëve, një specialist i lartë IT-së me bazë në rajonet e Rusisë mund të marrë nga një e treta deri në një të katërtën e pagës së një personi me të njëjtin kualifikim në Shtetet e Bashkuara.

Kompania kërkimore Gartner tha se mund të ketë deri në 250,000 profesionistë të IT-së në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi, të cilët punojnë si konsulentë ose janë të kontraktuar nga firmat që u shërbejnë klientëve jashtë shteteve ish-sovjetike.

Kompanitë e teknologjisë me bazë në SHBA, si EPAM dhe Data Art, të themeluara nga emigrantë nga Bjellorusia dhe Rusia, janë mbështetur shumë te punonjësit e IT-së në Rusi për të rritur bizneset e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

EPAM, një firmë inxhinierike softuerike me bazë në Pensilvani, punësoi më shumë se 30,000 punonjës të IT-së nga Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina, para fillimit të luftës.

Një menaxher i kompanisë që foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti tha se EPAM po kërkon nga punonjësit me bazë në Rusi, që të zhvendosen disa në Gjeorgji dhe Armeni për shkak të lehtësisë së udhëtimit.

Programues në zyrat e EPAM-it në Minsk. Një menaxher i firmës thotë se kompania e teknologjisë po u kërkon punonjësve me bazë në Rusi të zhvendosen jashtë vendit.
Programues në zyrat e EPAM-it në Minsk. Një menaxher i firmës thotë se kompania e teknologjisë po u kërkon punonjësve me bazë në Rusi të zhvendosen jashtë vendit.

Në një deklaratë më 4 mars, EPAM tha se do të ndërpresë shërbimin ndaj kompanive ruse, por nuk komentoi drejtpërdrejt fatin e punonjësve rusë, duke thënë vetëm se po “përshpejtonte punësimin” në Evropën Qendrore dhe Lindore, Amerikën Latine dhe Indi.

DataArt me bazë në Nju Jork, që kishte zyra në të paktën katër qytete ruse, tha se “ka ndalur të gjitha aktivitetet e investimeve, punësimit dhe zhvillimit të biznesit” në Rusi dhe “do të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj punonjësve dhe klientëve”.

Anni Tabagua, një zëdhënëse e kompanisë, nuk iu përgjigj e-maileve për koment nëse po zhvendos punëtorët rusë jashtë vendit, megjithëse llogaritë e mediave sociale të disa prej punonjësve të saj rusë tregojnë se ata tani po punojnë nga vende të tjera.

Data Art më 21 mars njoftoi se kishte hapur një zyrë të re në Serbi, që do të jetë plotësisht funksionale muajin e ardhshëm; zyra aktualisht ka 40 punonjës dhe do ta dyfishojë atë në 100 në muajt e ardhshëm.

Serbia ka qenë një destinacion i përshtatshëm për punonjësit rusë të IT-së për shkak të lidhjeve të Beogradit me Moskën. Sipas konkurseve për punë, Data Art po kërkon gjithashtu specialistë të IT-së në Gjeorgji dhe Armeni.

Këto dy shtete të Kaukazit Jugor, së bashku me Turqinë e afërt, kanë qenë destinacione edhe më të njohura për punëtorët rusë të teknologjisë që ikin nga vendi i tyre, tha Nikolai Shevchuk, një sipërmarrës i IT-së dhe bloger nga Shën Petersburgu.

Gjeorgjia dhe Armenia kanë kosto relativisht të ulëta jetese dhe regjime të buta vizash dhe ofrojnë fluturime të rregullta drejt dhe nga Rusia, tha ai.

Rusët mund të jetojnë pa viza në Gjeorgji për një vit, në Armeni për gjashtë muaj dhe në Turqi për dy muaj. Rusishtja flitet nga shumë njerëz në Stamboll dhe në Gjeorgji e Armeni, të cilat janë ish-republika sovjetike.

Shevchuk krijoi bisedën në Telegram më 28 shkurt, katër ditë pas pushtimit për të ndihmuar punonjësit rusë të IT-së, ata bjellorusë dhe ukrainas të gjejnë punë jashtë vendit ose punë në distancë, duke u paguar në euro ose dollarë. Biseda ka tashmë më shumë se 40,000 abonues.

Ministri armen i Ekonomisë, Vahan Kerobian, tha më 1 mars se “një duzinë” kompanish ruse të përfshira kryesisht në sektorin e teknologjisë, janë zhvendosur në Armeni, në mënyrë që t’u shmangen sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Zyrtarët gjeorgjianë kanë thënë gjithashtu se mijëra rusë, përfshirë shumë punëtorë të teknologjisë, janë zhvendosur në vendin e tyre gjatë muajit të kaluar.

Venera, një punëtore e teknologjisë nga rajoni i Tatarstanit, e cila kishte jetuar në Shën Petersburg, i tha Radios Evropa e Lirë në fillim të marsit se ajo planifikoi të transferohej në Gjeorgji “sepse është mënyra më e lehtë për të lënë Rusinë me humbje minimale”.

“U mbush kupa”

Venera, e cila kërkoi të mos i përdorej emri i saj nga frika e pasojave, tha se ajo dhe familja e saj kishin folur për largimin nga Rusia për një dekadë dhe “pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet … ishin pika e fundit”.

Shumë punonjës rusë – si dhe ukrainas dhe bjellorusë – po shpërngulen gjithashtu në Izrael, i cili ka një sektor të fortë teknologjik dhe një sektor të mbushur me shumë rusishtfolës.

Sophia Tupolyev-Luz, një qytetare izraelite e lindur në Moskë, e cila kishte punuar në komunikim dhe marrëdhënie me investitorët për kompanitë softuerike në Tel Aviv, tha se ajo mori mesazhe nga disa të njohur në Rusi dhe Ukrainë menjëherë pas pushtimit, duke thënë se ata po zhvendoseshin në Izrael.

Duke kuptuar se ishte më shumë se një rrjedhë e vogël, ajo së shpejti bashkëthemeloi “The Reboot Startup Nation”, një iniciativë jofitimprurëse për të ndihmuar në përputhjen e punonjësve të IT-së që ikin nga rajoni me kompanitë e teknologjisë izraelite që kanë nevojë për specialistë të teknologjisë. Izraeli ka një mungesë “kronike” të punëtorëve të teknologjisë që aktualisht vlerësohet në 15,000 sipas Globes, një gazetë e përditshme financiare lokale.

Më shumë se 11,000 emigrantë rusë mbërritën në Izrael gjatë katër javëve të para të luftës dhe mijëra të tjerë kanë mbërritur çdo ditë që atëherë, tha Globes.

Tupolyev-Luz i tha Radios Evropa e Lirë se ajo ka marrë më shumë se 600 CV nga punëtorët e teknologjisë në rajon që nga lansimi i “The Reboot”, disa javë më parë dhe po i lidh ato me më shumë se 130 kompani izraelite që kanë shprehur gatishmërinë për t’i punësuar ata që ikin nga luftimet.

Edhe kompanitë ruse po zhvendosin punonjësit në Izrael. Globes raportoi se Yandex, i quajtur ndonjëherë si Google i Rusisë, po shqyrton transferimin e disa punonjësve të tij në Izrael, ku ka një zyrë.

A është në telashe Yandex, kompania ruse Marquee Tech? Një ish-anëtar i bordit thotë po. Tupolyev-Luz tha se një kompani ruse zhvendosi të gjithë stafin e saj në Izrael dhe Armeni.

Shevchuk tha se ai pret që shumë nga punonjësit rusë të IT-së që u larguan shpejt të kthehen “kur gjithçka të qetësohet”.

Sa për veten e tij, ai planifikon të largohet nga Rusia “për një kohë të gjatë ose përgjithmonë” pasi ai dhe e dashura e tij të kenë gati të gjitha dokumentet e tyre.

Krupnik, ndërkohë, tha se shpreson të bëjë punë në Shtetet e Bashkuara ose Evropë. Nëse kjo nuk funksionon, ai do të kërkojë një leje qëndrimi në Turqi./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA