“Lufta ka sjellë një realitet ekonomik të ri”, Sejko pret përfaqësues të BB: Ecuria e çmimeve do të varet nga….

04/04/2022 14:47

“Sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues global”- kështu u shpreh sot guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një takimi me përfaqësues të Bankës Botërore.

Guvernatori Sejko theksoi se se pas analizave të thelluara të kryera nga Banka e Shqipërisë, ky realitet i ri ekonomik diktoi rishikimin e projeksioneve të mëparshme ekonomike dhe rivlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vlerësoi të nevojshëm ndryshimin e kahut të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike, e cila synon të krijojë kushtet e nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.

Në vijim, diskutimet u ndalën në ecurinë e inflacionit, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike.

Lidhur me ecurinë e çmimeve, Guvernatori theksoi se ajo do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend.

Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria po zhvillohet në kushte normale dhe treguesit e këtij sektori paraqiten të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e BB-së vlerësuan pozitivisht reagimin e menjëhershëm dhe në kohën e duhur të politikës monetare të BSH-së. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të ofrojnë asistencë teknike për Bankën e Shqipërisë.

Pjesë e takimit ishin Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale e Bankës Botërore (BB) për vendet e Ballkanit Perëndimor me qendër në Vjenë dhe Emanuel Salinas, Përfaqësues i Përhershëm i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Top Channel