Publikisht ka pranuar se njeh grupin parlamentar si të vetmin organ legjitim, por paraditen e së mërkurës, Sali Berisha refuzoi të pranonte vendimin e kryetarit të grupit Enkelejd Alibeaj, i cili kushtëzoi mbledhjen e plotë të grupit parlamentar me mospraninë e Sali Berishës.
Berisha: I pari që do të jetë në atë mbledhje është Sali Berisha. Sali Berisha ka një detyrim madhor absolut nga Kuvendi i 11 dhjetorit, të konfirmimi me referendumin e 18 dhjetorit dhe në zgjedhjet e 6 marsit.
Por, më shumë për këmbënguljen e Berishës për të shkuar në grup, duket se vlen vendimi i Gjykatës, i cili për momentin zhvlerëson ndryshimet statutore të 18 Dhjetorit, që e përjashtojnë atë, pasi është ‘non grata’ i amerikanëve.
Këtu mbështetet njoftimi i Alibeajt që në mbledhjen e së enjtes të pranoheshin edhe të pezulluarit dhe të përjashtuarit, përveç Sali Berishës, i cili është i përjashtuar, pasi është ‘non grata’. Por, për Sali Berishën, i cili nuk ka marrë një njoftim zyrtar, ky njoftim zyrtar nuk ka shumë rëndësi.
Berisha: Më kanë njoftuar kolegët e mi se ka mbledhje dhe unë do shkoj, normale.
Por, imponimi që Sali Berisha i bën grupit parlamentar për Gazment Bardhi është i papranueshëm.
“Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur ‘non grata’ nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike”, tha Bardhi.
Por, Komisioni i Rithemelimi foli për vullnete të liga, pa specifikuar nëse i referohej Lulzim Bashës apo vullnetit të SHBA për të shpallur ‘non grata’ Sali Berishën.
Top Channel