Pesë punonjëse të një ndërmarrjeje kanë përfunduar në spitalin e Durrësit me simptoma helmimi.
Pak pas mesditës së sotme, punonjëset kanë mbërritur në urgjencën e spitalit të Durrësit ku po marrin trajtim. Sipas burimeve spitalore, punonjëset janë paraqitur me gjendje të fikëti, këputje e ndjesi të vjellash.
Dyshohet se ato janë helmuar nga avujt e çliruar nga dizinfektimi i ambjenteve të fabrikës që prodhonte kabllo për automjetet, e cila ndodhet në superstradën Durrës – Tiranë.
Punonjëset kanë pasur simptoma që në mëngjes dhe mjeku i fabrikës u ka kërkuar që të shkojnë në banesë, por gjendja e disave prej tyre është rënduar ndaj kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas mjekëve të shërbimit të urgjencës, gjendja e tyre është nën kontroll, ndërkohë që do të jenë analizat toksikologjike që do të përcaktojnë shkakun e helmimit.
Sipas policisë, në spital janë paraqitur O. A., 41 vjeçe, A. R., 26 vjeçe, M. Xh., 30 vjeçe, A. Gj., 35 vjeçe dhe J. K., 38 vjeçe, të cilat ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Top Channel