Vershbow: Uniteti i Perëndimit lidhur me Ukrainën një mesazh i fortë për Moskën

26/03/2022 20:47

Ndërsa Presidenti Biden po zhvillon takimeve intensive diplomatike në Evropë, duke marrë pjesë në takimet e NATO-s, G-7-ës dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ish-Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow thotë se uniteti transatlantik lidhur me luftën në Ukrainë është një mesazh i fortë për Moskën.

Presidenti Biden vizitoi të premten një qendër për refugjatët në Poloni, që ndodhet jo shumë larg kufirit me Ukrainën. Polonia është bërë një qendër e përgjigjes humanitare dhe ushtarake të Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë.

Dislokimi i trupave shtesë nga Uashingtoni në krahun lindor të NATO-s e ka çuar në mbi 100,000 numrin e ushtarëve amerikanë të stacionuar në Evropë.

Presidenti Biden takoi trupat amerikane të Divizionit të 82-të, që janë pjesë e 10,500 trupave amerikane të vendosura në Poloni.

“Në 10 vitet e fundit më shumë vende i janë larguar standardeve demokratike. Pra, ju jeni të angazhuar në shumë më tepër sesa thjesht lehtësimin e dhimbjes dhe vuajtjeve të popullit të Ukrainës. Jemi në një fazë të re. Brezi juaj, ne jemi në një pikë kthese.”

Presidenti Biden u takua me homologun e tij polak, Andrzej Duda, në një qendër të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Uashingtoni ka premtuar 1 miliard dollarë shtesë në ndihmë humanitare. Presidenti amerikan e akuzoi sërish presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë që në fillim është t’i mbajmë demokracitë të bashkuara në përpjekjet për të kufizuar dëmet që po shkakton njeriu që unë mendoj se është një kriminel lufte”, tha ai.

Më herët të premten në Bruksel, zoti Biden u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Aktualisht Evropa i paguan Rusinë rreth 600 milionë dollarë në ditë për importet e energjisë, një e metë e dukshme në përpjekjet perëndimore për të goditur me sanksione ekonominë e Rusisë.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ndihmojnë në përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj varësie përmes një marrëveshjeje të re për të rritur importet e gazit natyror të lëngshëm në Evropë në 50 miliardë metra kub në vit.

“Kjo sasi prej 50 miliardë metrash kub në vit do të zëvendësojë një të tretën e gazit rus që importohet sot nga Evropa”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sulmi rus ndaj Ukrainës ka transformuar peizazhin e sigurisë në Evropë. Në qendër të vizitës së Presidentit Biden është mesazhi i unitetit transatlantik.

“Mesazhi politik i unitetit mes vendeve perëndimore që mbështesin Ukrainën dhe solidariteti me popullin dhe qeverinë ukrainase, ka dërguar një mesazh shumë të rëndësishëm për popullin ukrainas që po vuan nga lufta. Kjo i ka dërguar një mesazh edhe Moskës se shpresat e saj për të përçarë Perëndimin vazhdojnë të jenë të kota”, tha ish-Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA