Video/ Avioni luftarak fluturon vetëm pak metra mbi pushuesit në plazhin e Floridës, Marina Amerikane nis hetim

16/07/2026 10:22

Një incident i pazakontë ka shkaktuar reagime të shumta në SHBA, pasi një avion luftarak i Marinës Amerikane fluturoi në një lartësi shumë të ulët mbi një plazh të mbushur me pushues në Florida, duke nxitur hapjen e një hetimi zyrtar.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes në plazhin Pensacola, ku dy avionë luftarakë të ekipit akrobatik të Marinës Amerikane, Blue Angels, po merrnin pjesë në aktivitetin “Breakfast with the Blues”. Pamjet e filmuara nga pushuesit tregojnë një prej avionëve duke kaluar vetëm pak metra mbi kokat e njerëzve, duke krijuar momente paniku.

Pas publikimit të videove në rrjetet sociale, drejtuesit e ekipit Blue Angels njoftuan se kanë nisur një hetim për incidentin. Në deklaratën zyrtare thuhet se gjatë një manovre afrimi, një prej avionëve fluturoi më poshtë se lartësia e parashikuar nga standardet, duke shkaktuar shqetësim në plazh.

Sipas autoriteteve, fluturimi në lartësi të ulët bëri që valët e ajrit të prekeshin shezlongët dhe çadrat e vendosura në rërë, ndërsa pushuesit u detyruan të largoheshin për disa çaste.

Një grua, e cila ndodhej në plazh, tha për mediat lokale se prej 10 vitesh ndjek shfaqjet e Blue Angels, por nuk kishte parë kurrë një kalim kaq të ulët.

“Mendova se avioni do të përplasej me ne. Ishte e frikshme, por edhe e pabesueshme,” u shpreh ajo.

Marina Amerikane theksoi se siguria e qytetarëve, spektatorëve dhe pilotëve mbetet prioritet absolut. Sipas deklaratës, drejtuesit e ekipit po analizojnë të gjitha rrethanat e incidentit dhe kanë nisur një rishikim të plotë të procedurave, për të garantuar që çdo aktivitet ajror të zhvillohet në përputhje me standardet e sigurisë të Marinës Amerikane dhe Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Hetimet pritet të përcaktojnë nëse gjatë manovrës janë shkelur procedurat operative dhe nëse do të merren masa pas incidentit që për pak sa nuk u kthye në një tragjedi.

Top Channel