Kriza ndryshon buxhetin/ 26 mld lekë shtohen për energjinë dhe paketën e rezistencës sociale

25/03/2022 15:24

Qeveria uli parashikimet për rritjen ekonomike këtë vit në 3.5%, e detyruar pas krizës energjetike dhe shtrenjtimit të fortë të çmimeve.

Akti Normativ me ndryshimet e buxhetit mori sot miratimin e Komisionit të Ekonomisë, ku qeveria përmes tij rriti pritshmëritë për të ardhurat në 10 miliardë lekë, e po kaq u rritën edhe shpenzimet.

Me ndërhyrjet e reja, Financat shtuan 20 miliardë lekë për sektorin e energjisë dhe 6 miliardë lekë për mbulimin e shpenzimeve të paketës së rezistencës sociale. 16 miliardë lekë nga këto shpenzime janë siguruar nga rialokime e shkurtime të ministrive të linjës, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga rritja e të ardhurave.

“Në të gjitha skenarët presim të kemi rritje pozitive. Në skenarin që ju paraqitet është rreth 3.5%, por kemi edhe skenarë të tjerë më pesimistë me norma më të rritura inflacioni. Ne kemi bërë shkurtime në projekte që ishin të reja dhe nuk kishin nisur ende, janë projekte që mund të shtyhen në kohë”, tha Delina Ibrahimaj.

Ndërsa deklaroi se kriza e çmimeve do të tkurrë konsumin, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se nëse situata përkeqësohet buxheti do rishikohet sërish duke mos përjashtuar as koncesionet.

“Në këtë skenar ne parashikojmë që inflacioni mesatar të shkojë në 4.5%. Kjo rritje e përkohshme e inflacionit pritet të ketë një efekt frenues të fuqisë blerëse. Nëse do të jetë e nevojshme ne do të ndërhyjmë në zërat e buxhetit të shtetit siç kemi bërë edhe më parë. Do ngadalësojmë shpenzimet që nuk janë prioritare dhe që mund të shtyhen në kohë vitin e ardhshëm”, Delina Ibrahimaj.

Qeveria prêt që zgjerimi i të ardhurave në 10 miliardë lekë të vijë kryesisht nga rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me 7 miliardë lekë dhe akciza ndikuar nga nga rritja e çmimit të mallrave.

Top Channel