Gati për miqësoren me Spanjën/ Kombëtarja Kuq e Zi do të ndeshet ditën e shtunë në Barcelona

23/03/2022 19:59

Përfaqësuesja shqiptare vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Spanjës që do të luaj ditën e shtunë në Barcelonë në stadiumin e Espanyol-it.

Pas dy ditëve të para me një ngarkesë të diferencuar të lojtarëve për shkak të impenjimeve të tyre në klubet respektive gjithçka po zhvillohet normalisht me program të plotë. Në konferencën për shtyp të së mërkurës ishte mesfushori i Empolit Kristjan Asllani, një emër i ri ky për përfaqësuesen A, ndërkohë që futbollisti nga Elbasani ka qenë pjesë e kombëtares U21.

Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares: Jam shumë i lumtur, unë ekipin kombëtar e shikoja vetëm në televizor. Të jem këtu është një kënaqësi shumë e madhe për mua. Shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Nuk e mendoja, nuk e besoja, por erdhi kjo ftesë. Shpresoj të bëj mirë, dua që të ndihmoj ekipin. Jo, nuk na tremb Spanja, por është shumë bukur të luash ndaj këtyre skuadrave. Këto tre ditë kanë qenë ditë të bukura, dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Shpresoj që Shqipëria ta bëjë atë hapin cilësor. Unë do bëj maksimumin dhe shpresoj t’i jap një ndihmë shumë të mirë skuadrës.

Një rikthim në ekipin A të përfaqësuese shqiptare është edhe Xhakomo Vrioni, futbollisti i Juventusit i dhënë në huazim në Austri tek Tiroli ka shënuar deri më tani 10 gola dhe po kalon një formë shumë të mirë.

Giacom Vironi: Jam i lumtur, kur kombëtarja të thërret është gjë shumë e bukur, se përfaqëson popullin tënd, familjen, përfaqëson gjithë Shqipërinë. Është normale të jesh i lumtur dhe do jap maksimumin siç kam bërë gjithmonë në kombëtare Sipas meje mendimi për kombëtaren është shumë pozitiv. Skuadra është në nivel të lartë, kemi shumë lojtarë të mirë. Është një gjë shumë e bukur të jem këtu në kombëtare me gjithë këta lojtarë. Është normale që konkurrenca është kudo, në kombëtare dhe në klub. Është një gjë shumë e bukur për Shqipërinë nëse të gjithë sulmuese shënojnë me ekipet ku luajnë. Ne do stërvitemi, do japim maksimumin dhe pastaj trajneri vendos, kjo është normale.

Nga dita e nesërme përfaqësuesja shqiptare do të afrohet brenda qytetit të Barcelonës ku do të zhvillojë seancat stërvitore në kompleksin e skuadrës së Espanyol deri një ditë përpara ndeshjes që do të luhet më 26 mars, ndërkohë që më 29 mars në Tiranë kuqezinjtë do të luajnë përballë Gjeorgjisë në “Air Albania”.

Top Channel