Dita 27 e luftës/ Ukrainasit rimarrin disa zona, forcat ruse bombardojnë spitalin e fëmijëve. Rusët në ‘kolaps’ për ushqime

22/03/2022 22:26
Një kompleks industrial që u bombardua nga rusët në Mariupol

Prej 27 ditësh, Ukraina po përballet me forcat ruse që po tentojnë të pushtojnë vendin, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë biologjike dhe kimike ne fqinjin e saj lindor.

Megjithatë Biden thotë se tashmë presidenti rus Vladimir Putin “është më shpatulla pas murit, pasi ukrainasit po rezistojnë. Reagimi i Biden erdhi pasi Pentagoni deklaroi më herët se ka “prova të qarta” që forcat ruse po kryejnë krime lufte në vendin fqinj. Përcaktimi që Biden i bëri javën e kaluar Putinit si “kriminel lufte”, si “diktator vrasës” dhe “bandit”, kanë shkaktuar një krisje edhe më të thellë në marrëdhëniet me Rusinë. Ministria e Jashtme ruse tha se ato ishin “të padenja për një figurë shtetërore të një rangu kaq të lartë” dhe rrezikoi prishjen e lidhjeve SHBA-Rusi. Përmes një note proteste dorëzuar ambasadorit amerikanë në Moskë, pala ruse paralajmëroi gjithashtu se marrëdheniet mes Rusisë e SHBA-së mund të ndërpriten plotësisht. Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë e OKB-së ka urdhëruar tashmë Moskën të ndalojë pushtimin e saj dhe një prokuror në gjykatën ndërkombëtare penale ka nisur një hetim për krimet e luftës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar forcat ruse janë “bllokuar në Ukrainë”, ndërkohë që Mariupoli po përpiqet në maksimum për të mos iu dorëzuar rusëve. Në qytetin jugor, shkatërrimet janë të pa llogaritshme.

21:38 Biden udhëton në BE këtë javë, do të njoftojë sanksione të reja për Rusinë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka planifikuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, të cilat do i tregojë gjatë udhëtimit të tij në Bruksel dhe Varshavë këtë javë. Biden do të vizitojë kryeqytetin belg, ku NATO dhe Bashkimi Evropian kanë selitë e tyre, për të zhvilluar bisedime me liderët e huaj të enjten. Ai do të shoqërohet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, gjenerali Lloyd Austin.

21:32 ‘Rusët kanë ushqime vetëm për tre ditë’. Ukrainasit ‘epërsi’ ndaj pushtuesve

Forcat ruse kanë karburant, ushqim dhe municione për luftën edhe për tre ditë, kështu pretendojnë komandantët ushtarakë ukrainas. Pretendimet e tyre duket se konfirmohen edhe nga zyrtarët perëndimorë. Një zyrtar i Pentagonit shtoi se kishte probleme të vazhdueshme midis trupave ruse, që përfshin mungesë ushqimi dhe karburanti, si dhe probleme nga moti i acartë.

21:26 Qindra ushtarë rus refuzojnë të luftojnë kundër Ukrainës

Trupat ruse po refuzojnë masivisht të marrin pjesë në luftimet kundër Ukrainës, sipas ministrisë së mbrojtjes ukrainase. Në raportin e saj të fundit operacional, ajo tha se 220 ushtarë nga një njësi refuzuan të merrnin pjesë. Që nga fillimi i pushtimit, 50 ushtarë ishin vrarë dhe 110 u plagosën brenda njësisë, tha Ukraina.

21:09 Do përdorin armë bërthamore? Zëdhënësi i Putinit: Akoma nuk i kemi arritur qëllimet tona në Ukrainë

Zëdhënësi kryesor i presidentit rus Vladimir Putin ka pranuar se Rusia nuk ka arritur ende asnjë nga qëllimet e saj ushtarake në Ukrainë dhe ka refuzuar të mohojë se Moska mund të përdorë armët bërthamore. Në një intervistë me CNN të martën, Dmitry Peskov në mënyrë të përsëritur refuzoi të përjashtonte që Rusia do të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore kundër asaj që Moska e shihte si një “kërcënim ekzistencial”.

19:38 Terror dhe rrëmbime natën, informatori i FSB zbulonin planin nga ‘lart’ të rusëve

Rusia po planifikon një terror të madh në qytetin jugor të pushtuar të Khersonit duke rrëmbyer banorët dhe duke i çuar ata përtej kufirit rus, thotë një informator i FSB-së, sipas The Times. Në një letër, që mendohet se është shkruar nga një anëtar i shërbimit të brendshëm të sigurisë së Rusisë të hënën, thuhet se Kremlini nuk ishte më i gatshëm të sillej sipas rregullave me protestuesit në qytetin ukrainas. Njerëzit do të merren nga shtëpitë e tyre në mes të natës, thuhet në letër. Edhe sikur të na duhet të deportojmë ëm shumë se gjysmën e qytetit, ne jemi gati , thuhet në letër.

19:36 Ukrainasit rimarrin disa zona, çmenden rusët. Shpërndajnë me armë qytetarët

Forcat ruse po bombardojnë egërsisht shumë qytete të Ukrainës, por nuk kanë mundur të marrin epërsinë e kërkuar. Një kundërsulm ukrainas në veri dhe në perëndim të kryeqytetit të Kievit ka bërë që përpjekjet ruse për të rrethuar qytetin të dështonin. Në ditën e 27 të pushtimit, Ukrainasit po ashtu kanë mundur të rimarrin edhe makariv, ku në një ndërtesë është parë të valëvitet flamuri. Beteja aty ishte e ashpër ku nuk u kurse edhe një depo ilaçesh.

18:59 Dendias dëshiron të udhëheqë misionin e ndihmës për Mariupolin

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar që të udhëheqë një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit. Dendias tha në një konferencë për media në Athinë më 22 mars se për të nderuar Manolis Androulakis, diplomatin e fundit evropian që u largua nga Mariupoli, ai kishte vendosur kontakte me kreun e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të koordinuar përpjekjet për dërgimin e ndihmës.

18:17 Lirohet gazetarja ukrainase e marrë peng nga Rusia, vetëm pasi lavdëroi rusët

Një gazetare ukrainase e cila u rrëmbye nga spiunët rusë është liruar këtë të martë.  Victoria Roshchyna thuhet se u rrëmbye nga anëtarët e Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) pasi makina e saj u qëllua në fillim të këtij muaji. Media ku ajo punon, Hromadske, ka pohuar se tashmë, gazetarja që raportonte nga vija e frontit në Ukrainë, u lirua.

17:46 Forcat ruse bombardojnë spitalin e fëmijëve në Ukrainë

Një spital për fëmijë në rajonin e Luhanskut është shënjestruar nga forcat ruse, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës. Shtatë fëmijë dhe 15 të rritur,  përfshirë mjekët, u evakuuan nga ndërtesa pasi çatia mori flakë. Spitali është në qytetin Severodonetsk, në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore.

17:28 OBSH: Rusët sulmuan 62 objekte shëndetësore në Ukrainë

Në ditën e 27 të agresionit rus në Ukrainë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se të paktën 62 sulme kanë ndodhur në objektet shëndetësore në Ukrainë. Sipas kësaj organizate, për shkak të këtyre sulmeve, u vranë 15 persona dhe 37 të tjerë u plagosën. Ndërkohë, zyrtarët e OBSH-së në Poloni thonë se një vlerësim i shpejtë tregon se rreth gjysmë milioni refugjatë që kanë arritur atje kanë probleme psikologjike, kryesisht për shkak të traumave.

14:00 ”Fëmijët po vdesin nga dehidratimi”,  Mariupoli, Ferri në tokë

27-vjeçarja Victoria, e cila arriti të arratisej nga qyteti i rrethuar në jug të Ukrainës, Mariupol, tregon për 5 Live Breakfast se si la familjen pas ndërsa iku në një fshat rreth 20 km larg. Ajo thotë se shumë njerëz nuk kanë ushqime dhe ujë. Victoria shton se ajo nuk ishte në gjendje të ndihmonte anëtarët e tjerë të familjes të largoheshin nga Mariupol dhe është e dëshpëruar për t’i nxjerrë jashtë.

13:59 Spiunazhi amerikan ‘futet’ brenda mendjes së Putinit

Mjeshtri i spiunazhit amerikan, Gjenerali James Clapper i cili mbikëqyri CIA-n, FBI-në, NSA-në dhe shërbeu si një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit Barack Obama ka bërë publike disa detaje se çfarë pune inteligjente mund të bëhet për të përcaktuar se cila është gjendja shpirtërore e presidentit rus Vladimir Putin.

13:49 Ukraina: Mbi 15,000 trupa ruse të vrarë në luftë

Rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i luftës, ka pohuar Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Ministria rendit gjithashtu 509 tanke, 1,556 automjete luftarake të blinduara dhe 252 sisteme artilerie midis humbjeve ushtarake të Rusisë që kur pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Rusia ka dhënë vetëm një herë një shifër për humbjen e trupave të saj – 498 të vdekur deri më 2 mars – ndërsa SHBA së fundmi vlerësoi se rreth 7,000 trupa ruse ishin vrarë në konflikt.

13:40 Zelensky flet me Papën, thirrje Vatikanit të ndërmjetësojë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka folur me Papa Françeskun dhe ka sugjeruar se Vatikani mund të luajë një rol ndërmjetësues në përfundimin e luftës me Rusinë. Në një postim në Twitter, Zelensky i shprehu Papës “situatën e vështirë humanitare” dhe se si korridoret e shpëtimit po bllokoheshin nga trupat ruse. Zelensky shtoi: Roli ndërmjetësues i Selisë së Shenjtë [juridiksionit të Papës] për t’i dhënë fund vuajtjes njerëzore do të vlerësohej. Kjo vjen pasi Zelensky tha të hënën se Jerusalemi mund të jetë potencialisht një vend për bisedimet e ardhshme të paqes të nivelit të lartë midis Ukrainës dhe Moskës.

 

13:30 Ikja nga Mariupoli/ Rusët sulmojë makinat, nuk kursejnë as fëmijët

Mykola Trofymenko, kreu i Universitetit Shtetëror të Mariupolit, i cili është gjithashtu në këshillin e qytetit rrëfeu për BBC arratisjen e tij nga Mariupol javën e kaluar me gruan dhe djalin e tij pesëvjeçar.  Ata tani po jetojnë në qytetin perëndimor të Lviv. Para se të largoheshin, ata kishin kaluar disa javë duke u fshehur me rreth 80 fqinjë në një bodrum, ndërsa qyteti ishte nën sulm.

13:15 Rusia “mbetet” pa tanke! Mbyllet fabrika, “e mbytën” sanksionet

Sanksionet ndërkombëtare po japin shenja të forta ndikimi mbi ekonominë ruse. Ushtria ukrainase njoftoi  se kompania që prodhon dhe riparon tanket ruse, ka pezulluar punën në fabrikën e saj në pjesën qendrore të Rusisë, në Chelyabinsk për shkak të mungesës së pjesëve të importuara.

13:00 Të paktën 117 fëmijë të vrarë që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë

Të paktën 117 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 155 të tjerë janë plagosur në vend që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, raporton Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës. Ai thotë se shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit ukrainas Kiev (58) dhe në qytetin verilindor të Kharkiv (40). Ai shton se në Kharkiv, një tank rus thuhet se goditi një makinë që i përkiste një familjeje që udhëtonte me dy fëmijë. Ndërsa në qytetin port jugor të rrethuar të Mariupolit, thotë ai, autobusët e evakuimit që transportonin fëmijë u goditën nga bombardimet ruse.

12:00 I shpëtoi Hitlerit, vritet nga Putini

Një 96-vjeçar ukrainas që i mbijetoi Holokaustit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore u vra gjatë një sulmi rus në qytetin lindor të Kharkiv. Boris Romantschenko vdiq gjatë bombardimeve ruse të bllokut të tij të apartamenteve të premten, thanë të afërmit. Forcat ruse kanë bombarduar pa pushim Kharkivin, i cili shtrihet vetëm 50 km nga kufiri, për më shumë se tre javë. Të paktën 500 civilë janë vrarë tani atje, thonë zyrtarët ukrainas. Policia tha se një nga viktimat është identifikuar si një djalë nëntë vjeçar.

 10:47 Pentagoni: “Prova të qarta” të krimeve të luftës në Ukrainë

Pentagoni akuzoi të hënën forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë.  Zoti Kirby akuzoi gjithashtu forcat ruse për kryerjen e “sulmeve pa dallim ndaj civilëve” që ishin “të qëllimshme” në shumë raste. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të presin për proceset e vazhdueshme hetimore dhe do të kontribuojnë në hetimet mbi krimet e luftës të kryera në forcat ruse. Javën e kaluar, pasi Presidenti Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin “kriminel lufte”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti karakterizimin e tij “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.

Top Channel