Çdo gjë tretet dhe zhduket përvec natyrës- ka thënë Paul Cezanne.
Dhe duket se kjo ndjeshmëri ndaj bukurisë së natyrës, por edhe ndaj indiferencës së tokave lënë të papunuara dhe në harresë, e kanë ngacmuar piktorin Orion Shima të na sjellë një cikël në triptik, të cilin e ka quajtur ” Këtë vjeshtë”. Kjo është vjeshta e tij, më një kolorit të jashtëzakonshëm, me elementë simbolik dhe patjetër e gjitha për tu shijuar.
Ndjeshmëria e thellë e Orionit për natyrën është dëshmuar tashmë prej dekadash, duke kulmuar me ekspozita të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, më e fundit e të cilave vjet në Berlin.
Sipas kuratorit Parid Terefici, arti i shekullit të kaluar e shpërfilli natyrën, madje e urreu. Aq sa u duk sikur korbat e pikturës së fundit të Van Gogut të kishin marrë me vete në terr edhe fushën me grurë tok me qiellin.
Orion Shima: Kryesisht motivet janë të periferisë së Tiranës. Iba, Rinasi, vëzhgimet të kudondodhura, por më pëlqen të sfidoj memorjen dhe i punoj ato në studio.
Ai nuk e idealizon natyrën, madje nuk vihet ta imitojë dhe kopjojë, por tendos të gjitha shqisat të kapë timbrin e saj. Ne tablo shihet figura e njeriut dhe kali.
Orion Shima: Personazhet përfaqësojnë një kalim të qënies njerëzore në botën e madhe të natyrës.
E përmbyll me dordolecët nëpër fusha. Orioni dëshmon se kemi mes nesh ende njerëz të tillë jo indiferentë.
Orion Shima: Dordolecët përfaqësojnë njëlloj durimi të pafund ndaj harresës dhe arave të papunuara.
Ekspozita qëndron e hapur në Galerinë Fab.
Top Channel