Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i realizuar në lidhje video. Presidenti i Ukrainës tha se vendi i tij “po përballet me luftën më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai i “ka rezistuar agresionit rus për tetë vjet”.
Zelensky kujtoi se Kievi është nën sulme të përditshme raketore dhe ajrore, porse “nuk dorëzohet”. Ai përmendi ‘Pearl Harbor’ dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, teksa i bëri thirrje Kongresit amerikan që të bëjë më shumë për të ndihmuar luftën e Ukrainës kundër Rusisë. “Ne kemi nevojë për ju tani,” tha Zelensky, duke shtuar, “Unë ju bëj thirrje të bëni më shumë.”
Në momentin që bëri prezantimin e tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, tha se Kongresi amerikan ka “respekt, admirim dhe vlerësim të madh” për udhëheqjen e tij “të guximshme”.
Zelensky përmendi sulmet në Pearl Harbor dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë.
“Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne, jo vetëm tokën tonë, jo vetëm qytetet tona. Rusia hodhi tanke dhe avionë kundër lirisë sonë, kundër të drejtës sonë për të jetuar të lirë në vendin tonë, duke zgjedhur të ardhmen tonë. Kundër dëshirës sonë për lumturi, kundër ëndrrës sonë kombëtare, ashtu si të njëjtat ëndrra që keni ju, amerikanët, si kushdo tjetër në Shtetet e Bashkuara.
Më kujtohet memoriali juaj kombëtar në Rushmore, fytyrat e presidentëve tuaj të shquar, atyre që hodhën themelet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokracinë, pavarësinë, lirinë dhe kujdesin për të gjithë, për çdo person, për këdo që punon”, tha Zelensky.
Ai tha se vendi i tij është në luftën më të keqe që prej Luftës së Dytë Botërore.
“Po vendoset fati i vendit tonë. Fati i popullit tonë ku ukrainasit do të jenë të lirë, nëse ata do të jenë në gjendje të ruajnë demokracinë e tyre”, shtoi Zelensky.
Top Channel