Presidenti i vendit Ilir Meta dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndalimin e agresionit ndaj Ukrainës.
Ata kanë mirëpritur urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Mirëpritëm urdhrin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për masat e përkohshme të pezullimit të menjëhershëm të operacioneve ushtarake nga #Rusia ose ndonjë organizatë apo person. Shqipëria mbështet plotësisht përgjegjësinë për çdo krim të kryer në #Ukrainë dhe i bën thirrje Rusisë që t’i bindet urdhrit të Gjykatës”, shkruan Xhaçka.
“Përshëndes vendimin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që urdhëron Rusinë të ndalojë pushtimin e Ukrainës. Duke theksuar se nuk ka asnjë provë që të mbështesë justifikimin e Rusisë për luftën, GjND konfirmon dhe njëherë atë që bashkësia ndërkombëtare në unison ka argumentuar se ky agresion është i pajustifikuar dhe i paprovokuar. Pushtimi rus i Ukrainës duhet të ndalojë menjëherë dhe forcat pushtuese ruse të tërhiqen nga Ukraina. Shqipëria është në krah të Ukrainës mike, në mbështetje të luftës së saj heroike në mbrojtje të pavarësisë, integritetit territorial dhe të vlerave evropiane”, shkruan Meta.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëroi sot Moskën të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës.
Top Channel