Në të gjitha diskutimet dhe analizat e pushtimit rus të Ukrainës, Kina përshkruhet si vendi më i rëndësishëm që nuk është përfshirë drejtpërdrejt në krizë. Në këto jave bombardimesh, Kina është përfolur si aleat i Rusisë dhe si furnizues i ndihmës ushtarake, si ndërmjetës i mundshëm në konflikt, si i vetmi vend i aftë të bindë presidentin rus Vladimir Putin të ndalojë bombardimet, madje si një shtet që ka më shumë për të përfituar nga një konfrontim ku përfshihen të gjitha fuqitë e tjera të mëdha ushtarake globale.

Kuptimi i pozicionit të Kinës është veçanërisht i rëndësishëm si për marrëdhëniet e ngushta që Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë krijuar vitet e fundit dhe për shkak se lufta në Ukrainë është konflikti i parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë në të cilën dy fuqi të mëdha bërthamore (Shtetet e Bashkuara dhe Rusia) përballen drejtpërdrejt, edhe nëse jo në fushën e betejës. Kina, si një fuqi bërthamore dhe fuqia e dytë ekonomike në botë, ka një interes të madh në këtë përballje dhe rrezikon të futet nëse konflikti përshkallëzohet.

Pozicioni i Kinës në javët e para të luftës ka qenë i paqartë.

Në fillim të shkurtit, Xi dhe Putin, njoftuan se aleanca mes Kinës dhe Rusisë është e “pakufishme” dhe kishin dënuar ndërhyrjet politike të Perëndimit dhe kishin rënë dakord, në fakt, të rikonceptonin rendin botëror në një mënyrë më të favorshme për qeveritë e tyre autoritare.

Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës, ka ndryshuar shumë gjëra; brenda pak ditësh, vendi me të cilin Kina shpalli një aleancë të madhe është shndërruar në një nga vendet më të dënuar dhe të përbuzur në botë, i izoluar globalisht dhe afër shkatërrimit ekonomik për shkak të sanksioneve të ashpra perëndimore.

E përballur me një konflikt që ka polarizuar pjesën më të madhe të botës dhe që ka ribashkuar Perëndimin në një mënyrë që nuk ka ndodhur në tridhjetë vjet, Kina është tani në një pozitë të vështirë: Rusia pret mbështetje nga aleati i saj i ri, veçanërisht në “shmangien e perëndimit” sanksioneve të vendosura dhe referuar informacioneve të administratës amerikane, Putin ka kërkuar edhe ndihmë ushtarake.

Nga ana tjetër, Perëndimi pret që Kina të veprojë si një fuqi e përgjegjshme në skenën ndërkombëtare dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në ndalimin e bombardimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për krizën.

Është e vështirë të interpretohet pozicioni i Kinës, veçanërisht në fillim të një konflikti që mund të zgjasë për një kohë të gjatë, por ekspertët janë afërsisht të ndarë në dy interpretime.

Interpretimi i parë është se Kina ka vendosur të mos mbajë anë, duke parë më shumë se si do të evoluojnë ngjarjet dhe më pas të lëvizë në bazë të interesave të veta. Ky pozicion u jep njëfarë shprese atyre që besojnë, se ndërhyrja e Kinës në favor të një zgjidhjeje diplomatike të luftës në Ukrainë, mund të jetë vendimtare, pasi Xi Jinping është ndoshta i vetmi person në botë që ka ndikim të mjaftueshëm mbi Vladimir Putin.

Ky interpretim, i cili fillimisht ishte i përhapur veçanërisht në mesin e ekspertëve italian, po dobësohet me përparimin e luftës, sipas inteligjencës amerikane, e cila në krizën ukrainase ishte jashtëzakonisht efektive në mbledhjen e informacionit, Kina tani është shumë e gatshme për të marrë një anë dhe do të dërgonte ndihma ekonomike dhe ndoshta edhe ushtarake për Rusinë. Qeveria kineze e ka mohuar një gjë të tillë.

Interpretimi i dytë është, në fakt, se Kina ka marrë një vendim dhe se, duke ruajtur njëfarë paqartësie, Xi Jinping ka zgjedhur të qëndrojë në anën e Rusisë. Jo vetëm në këtë luftë dhe në çdo rast vështirë se do të shohim bombardues kinezë mbi Ukrainë, por në terma afatgjatë, lidershipi kinez tani është i bindur se marrëdhënia me Perëndimin është e destinuar të bëhet gjithnjë e më konkurruese dhe antagoniste dhe se aleanca me Rusinë mund të jetë një mundësi për të ndryshuar rregullat ekonomike dhe politike që drejtojnë botën.

Top Channel