Tashmë drejt finalizimit të marrëveshjes me Iranin? Reagon sërish Trump: Pakti mund të nënshkruhet të dielën

13/06/2026 21:22

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është planifikuar të nënshkruhet të dielën, duke shprehur optimizëm se ajo do të çojë në rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe në avancimin e negociatave për programin bërthamor iranian.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se “menjëherë pasi të nënshkruhet marrëveshja, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë”. Ai shtoi se, në një fazë të mëvonshme, Shtetet e Bashkuara do të marrin materialin bërthamor të pasuruar të Iranit për ta shkatërruar, duke përmendur se kjo do të realizohet falë operacioneve të mundësuara nga bombarduesit B-2.

Trump u shpreh se shpreson që procesi të zhvillohet “shpejt, lehtë dhe pa probleme”, por paralajmëroi se Uashingtoni disponon edhe “alternativën përfundimtare” në rast se negociatat nuk japin rezultatet e dëshiruara.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, memorandumi i mirëkuptimit që po negociohet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit do të hapte një periudhë 60-ditore negociatash teknike pas nënshkrimit. Kjo fazë do të fokusohej në detajet e zbatimit të angazhimeve të përcaktuara në marrëveshje.

Dokumenti parashikon disa kërkesa kyçe ndaj Iranit, përfshirë çmontimin e programit të tij bërthamor, garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe transferimin ose shkatërrimin e materialit të pasuruar bërthamor nën mbikëqyrje amerikane.

Top Channel