Pritej firma për marrëveshjen gjatë kësaj fundjave, Irani ndërron mendje dhe kërkon ende kohë
Irani ka shtuar në javët e fundit përpjekjet për të siguruar dhe izoluar rezervat e tij të uraniumit të pasuruar pothuajse deri në nivelin e nevojshëm për armë bërthamore.
Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, disa tunele janë shembur qëllimisht dhe në hyrje janë vendosur mina, çka e bën shumë më të vështirë dhe të rrezikshme qasjen te këto materiale.
Rreth gjysmë ton uranium i pasuruar dyshohet se ndodhet i bllokuar në këto zona, e kjo i komplikon edhe më shumë planet e Shteteve të Bashkuara për sekuestrimin e tij, plane të cilat janë përmendur më herët edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
CNN thotë se zhvillime të tilla e vështirësojnë edhe vetë arritjen e një marrëveshjeje SHBA-Iran, pjesë e kërkesave të së cilës është edhe dorëzimi dhe shkatërrimi i materialit bërthamor. Por edhe Teherani vetë gjithashtu, sipas ekspërteve, mund të përballet me vështirësi të mëdha për të mbërritur te materialet në fjalë pa pajisje të specializuara dhe operacione çminimi.
Një pjesë e rezervave besohet të jetë e vendosur në komplekse të shembura në Isfahan, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në zona të tjera të cilësuara si të sigurta.
Zyrtarë amerikanë kanë diskutuar një marrëveshje sipas së cilës Irani do ta dorëzonte uraniumin për shkatërrim, por kushtet ende mbeten të paqarta dhe të diskutueshme.
Ekspertët paralajmërojnë se këto masa mund t’i japin Iranit mundësinë të fshehë ose ta bëjë të paarritshme një pjesë të materialit nuclear.
Top Channel