Pritej firma për marrëveshjen gjatë kësaj fundjave, Irani ndërron mendje dhe kërkon ende kohë

13/06/2026 16:41

Pavarësisht sinjaleve optimiste nga ndërmjetësit pakistanezë, Irani ka deklaruar se një marrëveshje kornizë me Shtetet e Bashkuara nuk pritet të nënshkruhet gjatë ditës së nesërme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se mundësia për një marrëveshje në ditët në vijim mbetet e hapur, por theksoi se Teherani mbetet i kujdesshëm për shkak të asaj që e cilësoi si “paqëndrueshmëri të palës tjetër”.

“Mundësia që kjo të ndodhë në ditët në vijim nuk përjashtohet. Megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë së palës tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo deklarate në lidhje me këtë proces”, u shpreh Baghaei, sipas agjencisë iraniane Tasnim.

Ai sqaroi se dokumenti në diskutim nuk përbën një marrëveshje përfundimtare mes Iranit dhe SHBA-së, por një memorandum që përcakton pikat kryesore të mosmarrëveshjeve dhe kushtet për përfundimin e konfliktit.

Deklaratat e zyrtarit iranian vijnë pasi kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, njoftoi se kushtet e marrëveshjes mund të finalizohen brenda 24 orëve të ardhshme. Mesazhi i tij në rrjetin social X u ripostua më pas edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump në platformën Truth Social.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit bëri të ditur se ceremonia e nënshkrimit elektronik të marrëveshjes është planifikuar për nesër. Sipas autoriteteve pakistaneze, ministri i Jashtëm Mohammad Ishaq Dar ka zhvilluar gjithashtu bisedime me homologun e tij nga Arabia Saudite lidhur me zhvillimet e fundit.

Edhe një burim i afërt me negociatat i tha CNN se nënshkrimi elektronik i marrëveshjes mund të realizohet deri në fund të ditës së nesërme, ose edhe më herët. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi raportimet.

Top Channel