Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “GUDA”, ku vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kaluar një sasi malli të nënprodukteve të qumështit nëpërmjet Pikës Doganore Qafëbotë pa kryer veprimet përkatëse.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, J. H., 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe D. D., 48 vjeç, banues në Sarandë(me detyrë doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.)
Sipas policisë, në aksin rrugor Qafë-Muzinë – Gjirokastër është konstatuar automjeti tip furgon me drejtues shtetasin K. B., brenda të cilit u gjetën 296 paketime me nënprodukte të qumështit, me peshë totale 4735 kg, pa dokumentacionin përkatës. Ndërsa, shtetasi D. D., me detyrë doganier ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar këta shtetas për të mos kryer veprimet doganore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Fshehja e të ardhurave “, “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Top Channel