Një e treta e popullsisë e pa siguruar, rrezikojnë të mbeten pa shërbime mjekësore

09/03/2022 22:54

Një e treta e popullsisë së vendit sot llogaritet e pasiguruar dhe detyrohet të paguajë për çdo gjë. Përveç shërbimit të emergjencës, vizitave te mjekët e familjes dhe “check up”-it.

Por, në realitet shëndetësia nuk është falas as për të siguruarit.

Falas do të ishte nëse nuk do të paguaje as kontributet shëndetësore, asgjë” u shpreh Dr. Teuta Nunaj Kortoçi, eksperte ekonomie

Çdo shqiptar paguan mesatarisht 4 500 lekë në vit nga xhepi, ku barnat përbëjnë koston kryesore, ndjekur nga kujdesi spitalor, ai jospitalor, testet diagnostifikuese, si edhe kujdesi dentar. Këto pagesa nga xhepi, sipas OBSH, janë në rritje nga viti në vit.

Ndërkohë që edhe INSTAT deklaron rritje te shpenzimeve për shëndetësinë. Sa i përket kostove spitalore, në vitin 2020, kosto mesatare për një të shtruar në spitalin e Traumës përllogaritet 99,050 lekë. Ky është institucioni me kosto mesatare më të lartë. Ndërkohë, për të shtruar në një spital të nivelit Rajonal kosto mesatare është rreth 82 700 lekë, ndjekur nga spitali Universitar me 61,030 lekë. Këto janë kosto të përllogaritura për mbulim nga Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe nuk referojnë kosto të tjera për spitalizim që mbulohen privatisht nga individët.

INSTAT deklaron rritje të shpenzimeve për shëndetësinë kryesishtë për vitamina” u shpreh Dr. Teuta Nunaj Kortoçi, eksperte ekonomie

Ky sistem, që të orienton drejt pagesave shtesë, sipas OBSH, bën që një në pesë persona të shtyjnë apo të mos kërkojnë kujdesin shëndetësor kur kanë nevojë. Ky raport bëhet më shqetësues për familjet më të varfëra, që nëse nuk arrijnë të gjejnë borxh, nuk mund të marrin mjekim.

Top Channel