Qindra këpucë me ngjyrë të kuqe janë vendosur në Sheshin Skënderbej këtë 8 mars për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës me bazë gjinore.
Kjo mënyrë të prostestuari e ka origjinën më 20 gusht 2009, kur arkitektja dhe artistja meksikane, Elina Chauvet, bëri një instalacion në kujtim të qindra, mijëra vajzave të reja që u zhdukën, u torturuan dhe më pas u vranë në Juárez, kufiri mes Meksisës dhe Amerikës, gjatë viteve 1990 dhe 2000. Ky aktivitet vjen në ditën përmbyllëse të “FemFest”.
Ilirian Basha: Këpucët e kuqe tek ne simbolizojnë çdo grua të vrarë në Shqipëri nga dhuna në familje. Kjo është mënyra jonë për të protestuar.
Protestueset gra dhe vajza marshuan më pas drejt kryeministrisë me pankarta në duar.
Xheni karaj: Jetojmë në një shoqëri ku unë dhe partnerja ime sa herë shprehim afeksion për njëra tjetrën kthejmë kokën mos po na hedhin një gur kokës ose një plumb ballit.
Këpucët e Kuqe janë subjekti i një muraleje që inagurohet prapa Universitetit të Arteve. Ndërsa po në kuadër të “FemFest” mbrëmjen e shtatë marsit stilistja Borana Gjyzeli prezantoi një sfilatë ku krijimet e saj e kishin veshur gra të mbijetuara nga kanceri, të bukura pavarësisht moshës, gjatësisë, peshës apo ngjyrës së lëkurës.
Borana Gjyzeli: Kjo sfilatë është shumë e veçantë dhe rëndçsishme për mua si stiliste, vajzë dhe grua që të shpreh problematikat e rëndësishme në shoqërinë tonë. E përmbyllim “FemFestin” sivjet në orën 7 ku nga shitja e biletave të shfaqjeve ne do ndajmë katër bursa për katër studente të Akademisë së Arteve.
Top Channel