“Kemi institucione që nuk garantojnë siguri maksimale kibernetike”/ Kreu i AKSK në Komisionin “Xhafaj”, Kazia: Qytetarët të rrezikuar nga mesazhet false

14/09/2026 12:26

Po mbahet sot Komisioni Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj.

Kreu i Autoritetit Kombëtar të Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, po relaton në lidhje me institucionin që drejton. Gjatë seancës dëgjimore ai u pyet nga deputetja Evis Kushi nëse institucionet tona janë të afta të përballojnë sulmet kibernetike.

Kushi: Kemi ne institucione të një rëndësie të veçantë që nuk kanë kapacitet e duhura për të pasur sigurinë maksimale kibernetike?

Kazia: Sa i përket infrastrukturave jetike, këto institucione kanë kapacitete teknologjike dhe njerëzore, por jo të gjitha kanë burimet e duhura për t’iu përgjigjur sulmeve të ndryshme. Vetëm në 5 muajt e kaluara janë vendosur 16 masa administrative për mospërmbushje të detyrimeve për masat që duhet të marrin këto institucione. Duhen investime në teknologji, ndonjëherë është procedurë e gjatë, sepse këto institucione janë pjesë e administratës. Bashkia e Tiranës ka marrë masa, por procedurat kanë ngecur rrugës. Përgjigja është “po”, kemi institucione që nuk kanë burimet e duhura për t’i bërë ballë sulmeve kibernetike. Me masat që do të marrim dhe punën që po bëhet, besoj se do të rritet siguria.

Më pas kryetari Xhafaj e pyeti në lidhje me sigurinë e qytetarëve dhe kërcënimet me të cilat ato përballen sa i përket sigurisë kibernetike dhe të dhënave të tyre online.

Xhafaj: Cilat janë problematikat që një qytetar i thjeshtë has në fushën të përgjegjësisë? Sa jemi në gjendje ne të ruajmë të dhënat dhe privatësinë e qytetarëve tanë, veçanërisht fëmijëve?

Kazia: Problematika më e madhe janë tentativat “fishing” dhe “smishing”, kur përmes mesazheve apo telefonatave u kërkohet të vendosin të dhënat e tyre. Kemi pasur më së shumti mesazhe duke imituar bankat, e-albanian, apo Postën Shqiptare. Kemi pasur bashkëpunim me policinë dhe në 3 raste është bërë i mundur edhe arrestimi i autorëve. Kemi ngritur detektorë që i sinjalizojnë këto mesazhe dhe telefonata dhe në shumë raste i kemi parandaluar. Kemi investuar në rritjen e kapaciteteve dhe çdo vit siguria rritet. Çdo gjë vjen nga ndërgjegjësimi dhe çdo qytetar duhet të tregojë kujdes se më kë komunikon dhe ku i hedh të dhënat e tij. Kemi një platformë online për denoncimet, por do të kemi edhe një platformë për “higjienën kibernetike”.

Top Channel