Përfundon blloku i ri operator i Spitalit të Shkodrës, Manastirliu: Premtim i mbajtur, Shërbimi i Kirurgjisë konkuron QSUT

04/03/2022 15:28

Një tjetër investim i qeverisë shqiptare ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër bllokun e ri operator, një investim i qeverisë shqiptare prej afro 1 milion dollarë.

Sallat e reja të kirurgjisë janë një premtim i mbajtur. Shkodra tashmë i ka të gjitha shërbimet. Mua më vjen mirë që këtu kryhet një gamë e larmishme e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke filluar nga ato abdominale deri tek ato ortopedike e patjetër dhe gjinekologjike. Pra kemi një spital ku kryhen gati 100% të ndërhyrjeve që kryhen edhe në QSUT. Shkodra për nga shërbimet që ofron dhe shërbimin kirurgjikal e konkuron lehtësisht Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për nga pikëpamja e vështirësisë apo nivelit të ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës së saj në Shkodër, Manastirliu ka parë nga afër edhe investimin në laboratorin e ri të analizave, duke u shprehur se tashmë kemi një standard të unifikuar në të gjithë vendin, përsa i përket cilësisë së analizave.

Nëse shkon në QSUT dhe referohesh aty për një ndërhyrje që mund të jetë shumë specifike, mjafton të marrësh analizat me vete që mund të shkojnë edhe në mënyrë elektonike nëpërmjet sistemit dhe çdo gjë është e sigurt, dhe këtu është një garanci më shumë që jeta dhe shëndeti i qytetarëve të mbrohet. Është rritur edhe gama e analizave. Bëheshin 70-80 lloje analizash, sot bëjmë 140-150 në varësi të nevojës dhe përfshirja së shpejti në këtë seri analizash dhe të laboratorit anatomik-patologjik, do mbyllë një cikël të shumëpritur në spitalet tona”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës, Manastirliu tha se investimet nuk do të ndalen, për të çuar përpara projekte të tjera.

Një ndër piketat e radhës është edhe vendosja e një ndërhyrjeje të re që do të bëjmë këtu në Shkodër, që është kryerja e kataraktës. Besoj që punët nuk do të ndalen këtu. Jam e bindur që do të çojmë përpara shumë projekte të tjera edhe për nga pikëpamja e përmirësimit të infrastrukturës”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe në Poliklinikën e Shkodrës, ku është instaluar pajisja e re Dexa për matjen e densimetrisë kockore, një ndër katër aparaturat e vendosura për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik. Manastirliu bëri me dije se investimet në Shkodër do të vijojnë me rehabilitimin e Poliklinikës së Shkodrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA