Ushtria ruse po e përqëndron fushatën e saj të bombardimeve mbi njërin prej qyteteve kyçe të Ukrainës, Kharkiv teksa marrja e Kievit po kthehet në një sfidë të vërtetë për Moskën.
Të paktën 10 vetë humbën jetën e 35 të tjerë u plagosën pas goditjes me raketa të ndërtesës së Operas, një salle koncertore dhe zyrave qeveritare të ndodhur në sheshin kryesor të qytetit.
Presidenti Volodymir Zelensky e akuzoi hapur Moskën se po kryen krime lufte në qytetin e dytë më të madh të vendit të tij. Pak më vonë, parashutistë rusë u lëshuan mbi Kharkiv, duke shtuar kështu përpjekjet për marrjen e tij, por në zonat ku ata zbritën, ndeshën në rezistencë të menjëhershme.
Në Kiev sakaq, nata ishte relativisht e qetë, edhe pse sirenat e alarmit gjëmonin herë pas here. Këtë mëngjes, deri dhe erën dëgjoje të frynte mes godinave, dicka e paimagjinueshme prej ditësh, thotë korespondenti i BBC-së atje, James Waterhouse.
Pas bombardimeve të së martës, Zelensku iu drejtua edhe një herë shtetasve të tij duke u përpjekur t`i ngrejë moralin popullit që në këto 7 ditë ka përjetuar shumë më tepër nga sa përjetoi në 30 vitet që prej shpalljes së pavarësisë. Kreu i shtetit ukrainas foli për sulmin ndaj kullës televizive që mori 5 jetë njerëzish, si dhe për goditjen e memorialit të Holokaustit në kryeqytet.
“Historia u përsërit me këtë sulm. Çfarë kuptimi ka të thuash “kurrë më “ për 80 vjet, ndërkohë që bota hesht përpara bombave që lëshohen mbi Babyn Yar?”
Babyn Yar, për të cilin flet presidenti, është varri masiv më i madh i Holokaustit në Europë, ku më shumë se 70,000 njerëz, kryesisht hebrenj, u qëlluan për vdekje nga nazistët. Ushtria ruse duket është përqëndruar tani gjithasjtu tek marrja e qytetit jugor Kherson, një lëvizje kjo strategjik që do t`i lejonte krijimin e një baze për ushtrinë gjatë tentativës për tu shtyrë më thelle në tokën ukrainase, ndërsa po rreshton forcat për marrjen e Mariupolit, çka do të krijonte një lloj ure tokesore për forcat ruse që të mund të lëvizin lirshëm prej tokës ruse dhe Krimesë.
Me njoftimin e presidentit amerikan Joe Biden sakaq se Shtetet e Bashkuara do të mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë, rritet ndjeshëm numri i vendeve që po ia mbyllin qiellin e tyre Rusisë pas vendimit të Vladimir Putinit për të mësyrë Ukrainën.
Top Channel