Përgjatë orëve të fundit, ndërsa vazhdon pushtimi rus në Ukrainë, Kina ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm dhe mjaft të paqartë ndaj veprimeve të presidentit rus Vladimir Putin. Ndër të tjera, qeveria kineze ka refuzuar të njohë operacionin ushtarak rus si një “pushtim” dhe me shumë gjasa nuk do t’i bashkohet sanksioneve ekonomike të shpallura nga komuniteti ndërkombëtar. Përkundrazi, mbështetja ekonomike e Kinës, mund të ndihmojë Rusinë të përballojë sanksionet e perëndimorëve.

Qëndrimi i Kinës ka disa arsye; qeveria dëshiron të kufizojë sa më shumë dëmin në ekonominë e saj, të ruajë marrëdhëniet me partnerët ekonomikë, duke përfshirë Rusinë dhe vende të ndryshme perëndimore dhe gjithashtu të studiojë me kujdes atë që po ndodh në Ukrainë.

Reagimi i vendeve perëndimore ndaj pushtimit, ndër të tjera, mund të japë të dhëna për presidentin kinez Xi Jinping se si mund të shkojnë gjërat nëse Kina vendos të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Tajvanit në të ardhmen. Disa analistë, ditët e fundit, kanë pyetur veten nëse pas Ukrainës, territori i ardhshëm i një vendi demokratik, i pushtuar nga një regjim i madh, mund të jetë Tajvani.

Paqartësia e qëndrimit kinez ndaj luftës në vazhdim është vërejtur nga disa analistë të ndryshëm, veçanërisht në lidhje me dy faktorë. E para, është se Kina nuk e ka quajtur operacionin e Putinit në Ukrainë një pushtim, duke filluar nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying, i cili refuzoi të flasë për pushtimin rus dhe për më tepër ta dënojë atë në një konferencë shtypi që mbajti të enjten. Media dhe televizioni shtetëror kinez vazhdojnë ta përcaktojnë agresioni rus në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”, pikërisht ashtu siç vetë Putin e përcaktoi pushtimin e vendit fqinj.

Rasti i dytë, kur paqartësia e pozicionit kinez u shfaq shumë qartë, ishte atëherë kur ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, tha fillimisht se Kina ka respektuar gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, por më pas shtoi se në rastin konkret të Ukrainës, ajo njohu kompleksitetin e situatës dhe “shqetësimet legjitime të sigurisë” së Rusisë. Në praktikë, duke ruajtur njëfarë neutraliteti në të shprehur, Kina në fakt po ndan versionin rus të ngjarjeve, sipas të cilit pushtimi i Ukrainës është një operacion ushtarak për të sjellë paqen në vend.

Një pozicion i tillë, siç shpjegoi për Politico Evan Feigenbaum i qendrës së studimit Carnegie Endowment for Intenational Peace, Kina e gjen veten, duke u përpjekur të realizojë atë që disa objektiva në dukje të papajtueshme të bashkëjetojnë.

Mes tyre, për t’u siguruar që kriza aktuale të dëmtojë sa më pak të jetë e mundur ekonominë e saj, kjo edhe për shkak të sanksioneve që SHBA-të dhe BE-ja do të zgjedhin të vendosin ndaj Rusisë, sanksione këto që mund të prekin edhe Kinën, nëse prekin të gjitha shtetet që bëjnë biznes me Rusinë, interesat ekonomike të Kinës varen edhe nga mundësia e vazhdimit të tregtisë me Ukrainën, e cila ndër të tjera është një pikë kalimi e rëndësishme e të ashtuquajturës “rruga e re e mëndafshit”, pra programi i madh i investimeve kineze për ndërtimin e infrastrukturës tregtare, që nënkupton një zgjerim i ndikimit kinez në botë.

Në përgjithësi, Kina ka çdo interes për të mbajtur një marrëdhënie pozitive me Perëndimin, të cilin e sheh jo vetëm si një rival politik, por edhe si një partner ekonomik. Nga ana tjetër, Kina dëshiron të ruajë marrëdhëniet e saj të mira me Rusinë dhe kjo është një marrëdhënie shumë e ngushtë mes këtyre dy vendeve. Vitin e kaluar, gjatë një takimi në Moskë, udhëheqësi kinez Xi Jinping e përshkroi Putinin si “mikun e tij më të mirë” dhe rreth njëzet ditë më parë, kur kriza në kufirin ukrainas po arrinte kulmin e saj, të dy vendet e përkufizuan bashkëpunimin e tyre si “të pakufishëm”.

Po ashtu, Kina dhe Rusia ndajnë së bashku qëllimin për të ndryshuar rendin ndërkombëtar dhe prandaj disa analistë presin që duke mbajtur qëndrime disi të kujdesshme publike, Kina është e gatshme të ndihmojë Rusinë, për shembull, duke e mbështetur atë ekonomikisht për të përballuar sanksionet masive që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vendosin ndaj saj në përgjigje të pushtimit të Ukrainës. Ndër të tjera, Kina mund t’i ofrojë ekonomisë ruse mënyrën për t’i shpëtuar këtyre sanksioneve, pasi vitet e fundit ajo ka zhvilluar disa industri shumë efektive, siç ka bërë pjesërisht edhe vetë Rusia, por gjithsesi ajo mbetet ekonomikisht shumë më pak konkurruese se Kina.

Por, qëndrimi në dukje i kujdesshëm i Kinës ka edhe një arsye tjetër, sipas analizave të ndryshme, Kina po shikon me shumë kujdes atë që po ndodh në Ukrainë, sepse edhe me dallime të mëdha mes dy vendeve, disa elementë te kriza aktuale e Ukrainës mund të zbatohen edhe për Tajvanin, i cili është një ishull i vogël i pavarur dhe që Kina e konsideron si të vetin.

Kina ka pretenduar sovranitetin e saj në ishull për dekada, i cili ka një sistem demokratik të vërtetë dhe një ekonomi shumë të mirë, ndërsa vetëqeveriset që nga viti 1949. Për presidentin kinez Xi Jinping, ribashkimi i Tajvanit me Kinën është një qëllim i patjetërsueshëm, të cilit ai i është referuar vazhdimisht në fjalime të ndryshme publike.

Gazetari amerikan për Azinë, Michael Shuman, shkroi se një fitore e Rusisë në Ukrainë mund të bindë liderin kinez Xi Jinping në të ardhmen për të bërë të njëjtën gjë me Tajvanin. Një gjë e tillë, nga ana tjetër, shpjegon edhe reagimet e vetë Tajvanit por edhe Japonisë për veprimet e Putinit në Ukrainë.

Tajvani, gjeografikisht shumë larg nga Ukraina, ishte një nga vendet e para që dënoi publikisht pushtimin e Ukrainës si një shkelje të marrëveshjes ndërkombëtare, si dhe deklaroi menjëherë, një ditë pas pushtimit, se do t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Edhe Japonia, e shqetësuar për Tajvanin dhe ishujt Senkaku është treguar e gatshme të vendosë sanksione të rënda ekonomike.

Top Channel