Burrat ukrainas po ndahen në kufi me familjet e tyre. Me mijëra ukrainas përgjatë 24 orëve të fundit kanë lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës duke u përpjekur të kalojnë në vendet fqinje. Por, çdo mashkull i moshës 18 deri në 60 vjeç nuk lejohet të dalë nga vendi.
“Është e tmerrshme të shohësh këta njerëz ndërsa zbresin në kufi duke qëndruar aty me një pallto dhe një çantë ndërsa shohin familjen e tyre duke ikur”, raporton BBC.
Polonia ka deklaruar se është e gatshme të mirëpresë të gjithë qytetarët ukrainas që largohen nga vendi për shkak të luftës.
Megjithatë, raportimet e medias, kanë treguar se kushtet në kufi ishte të vështira për shkak të një numri të madh njerëzish, përfshirë fëmijë, që duhej të prisnin jashtë në radhë për më tepër në temperatura shumë të ulëta për më shumë se një orë.
Më herët, Polonia deklaroi se po përgatit një tren, duke e përshtatur si spital të lëvizshëm, përmes të cilit do të transportohen ushtarët dhe qytetarët ukrainas të plagosur.
Lajmi u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë, zyrtarë të së cilës kanë folur për Reuters.
“Polonia po përgatitet të pranojë emigrantë nga Ukraina, përfshirë qytetarët ukrainas të prekur nga konflikti i armatosur. Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që çdo person që hyn në territorin e Polonisë të ketë akses në kujdesin shëndetësor, përfshirë shtrimin në spital. Në spitale po përgatiten shtretër për pranimin e të plagosurve”, thuhet ne deklaratë.
Ministri i Shëndetësisë i Polonisë, Adam Niedzielski, tha se Polonia kishte përgatitur një listë me 120 spitale ku mund të trajtoheshin personat e plagosur nga pushtimi në Ukrainë.
“Në total, ne vlerësojmë për momentin se do të kemi mundësinë të pranojmë disa mijëra pacientë të lënduar, përfshirë ata të plagosur rëndë”, tha ai për mediat lokale.
Top Channel