Altin Lala hedh shortin/ Finalja e Conference League do të luhet në Tiranë, në muajin maj

25/02/2022 20:20

Në Nyon të Zvicrës u hodh shorti për fazën e 1/8-tave të Europa Conference League, kompeticioni më i ri europian dhe që finalen e parë do ta luajë në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë fazë, pjesë e shortit ishte edhe një legjendë e kombëtares së Shqipërisë si Altin Lala. Ish-mesfushori në një prononcim të shkurtër para se të niste “ankthi” i goglave, u shpreh i lumtur që një finale europiane do të luhet në Tiranë, ndërsa veçoi edhe tre skuadrat favorite sipas tij.

Jemi shumë të lumtur që do të organizojmë një kompeticion të tillë në Tiranë. Europa Conference League, është një mundësi për skuadrat e vogla që të bëjnë mirë në këtë kompeticion të ri dhe të arrijnë suksese. Si favorite mendoj se Roma, Marseille dhe Leicester kanë diçka më shumë dhe mund të arrijnë larg”, tha Lala.

Ish-mesfushori i Shqipërisë, rezultoi fatsjellës për Marash Kumbullën dhe Romën duke qenë se verdhekuqtë u shortuan me Vitesse, teksa holandezët cilësohen një kundërshtar i kalueshëm për të besuarit e trajnerit Jose Mourinho.

Ndërkaq, spikat ndeshja mes Marseille dhe Basel të Taulant Xhakës, sigurisht me francezët që në start duken më favoritë, ndërsa interesant është edhe përballja mes Leicester dhe Rennais. Ndeshjet e para do të luhen më datë 10 mars, ndërsa ato të kthimit luhen më datë 17 mars

Top Channel