Legjionarët/ Nga Kumbulla te Broja, të gjithë protagonistë në Europë

23/02/2022 16:23

Sezoni 2021-2022 po rezulton mjaft pozitiv për pjesën më të madhe të lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë, me një pjesë të lojtarëve që kanë arritur që të kthehen në elementët më të rëndësishëm të skuadrave të tyre. Në portë Thomas Strakosha po bën mirë me Lazion teksa është aktkvizuar në 11 ndeshje në kampionat dhe në 7 përballje në sfidat ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Gentian Selmani është një titullar i padiskutueshëm tek Boluspor me 22 ndeshje këtë edicion. Etrit Berisha është i vetmi nga tre portierët që nuk po arrin që të gjejë hapësira, teksa është aktivizuar vetëm në 1 ndeshje në kupë me Torinon.

Në repartin e mbrojtjes, pjesa më e madh e lojtarëve gëzojnë statusin e titullarit. Elseid Hysaj nën drejtimin e Sarrit duket se gjen veten dhe tek Lazio po ashtu ka marrë vendin e tij në formacion, duke luajtur në 31 ndeshje e duke shënuar vetëm 1 gol në të gjitha kompeticionet.

Marash kumbulla është aktivizuar në 18 ndeshje nga Jose Mourinho, në radhët e Romës, duke pasur konkurrencë të fortë, por duke marrë herë pas here dhe vlerësimet e trajnerit portugez. Berat Gjimshiti ka koleksionuar 27 ndeshje në të gjithia garat me Atalantën e tij, duke shënuar dhe dy gola në garat ndërkombëtare. Mbrojtësi është një prej lojtarëve më të dalluar në radhët e skuadrës bergamase.

Ardian Ismajli po ashtu ka marrë minuta në radhët e Empolit, duke numëruar 15 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, ndërsa në të njëtën situatë duket dhe Frederik Veseli tek Salernitana. Aktivizim ka dhe për Enea Mihajn në Greqi që numëron 12 ndeshje, si dhe për Kastrioti Dermakun në Serie B me po 12 ndeshje. Ermir Lenjani vijon të bëjë mirë në Zvicër ku ka luajtur 17 ndeshje në kampionat, ndërsa Albi Doka pas eksperiencës tek Gorica ka nisur që të marrë hapësirë dhe në radhët e Honved në Hungari, ku u transferua në merkaton e janarit.

Ivan balliu në anën tjetër po bën mjaft mirë në Spanjë, teksa me Rayo Vallecano po shkëlqën këtë sezon, duke qenë një lojtar tepër i rëndësishëm për skuadrën dhe një titullar i padiskutueshëm. Nga Superiorja Erion Hoxhallari është lideri i Tiranës, ndërsa në anën tjetër ish-futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi aktivizohet rregullisht me Al Qadsia në Kuvajt.

Në radhët e mesfushorëve pa diskutim që Nedim Bajrami ka tërhequr vëmendjen me 24 prezenca në Serie A dhe me 6 gola të shënuar, ndëra ka shënuar dhe 3 gola në 3 ndeshjet e zhvuilluara në Kupën e Italisë. 22-vjeçari është një prej lojtarëve më në formë të përfaqësuese kuqezi.

Nga Italia në Spanjë, aty ku Keidi Bare po ashtu është lojtar i rëndësishëm për Espanyol. Mesfushori fierak ka luajtur 17 ndeshje në La Liga dhe 3 në Coppa del Rey. Në Gjermani, Klaus Gjasula është një titullar i padiskutueshëm tek skuadra e Damstadt që me mesfushorin kuqezi synon të ngjitet në elitën e fubtollit gjerman.

Në Francë, Qazim Laçi ka shënuar 2 gola në 21 ndeshjet që është aktivizuar me Ajaçio, ndërsa në Hungari Ylber Ramadani ka luajtur në 23 ndeshje këtë sezon duke qenë dhe autori i një goli me MTK Budapest. Enis Çokaj në Kroaci po ashtu luan rregullisht me Lokomotiva Zagreb, ku ka zbritur në fushë në 21 ndeshje në kampionat.

Turqia është kthyer në shtëpinë e disa prej lojtarëve të repartit të avancuar nga skuadra kuqezi.  Endri Çekiçi ka shënuar 4 gola në 27 ndeshje me Konyaspor, ku së bashku me Sokol Cikalleshin po japin kontributin e tyre në një edicion fantastik me skuadrën që ndodhet në vendin e dytë të kampionatit turk.

Kavajasi ka shënuar 7 gola këtë sezon në të gjitha garat. Tek Boluspor Odise Roshi ëhstë një titullar fiks me 20 ndeshje në kampionat, ndërsa Bekim Balaj është aktivizuar 3 ndeshje pas largimit nga Rusia ku luajti 15 ndeshje në gjysmën e parë të seoznit.

Myrto Uzuni u transferua nga Hungaria në La Liga, duke u bërë pjesë e skuadrës së Granadës. Beratasi ishte ylli i Ferencvaros, duke regjistruar shifra mbresëlënëse, çka bënë që të provojë veten tani në Spanjë, ku menjëherë është aktivizuar si titullar duke marrë besimin maksimal të trajnerit.

Ernest Muçi në Poloni po ashtu po bën mirë me Legian ndërsa dhe Taulant Seferi është shënuesi më i mirë në Abissnet Superiore. Në fund, ylli i momentit, Armando Broja. 22-vjeçari ka bërë që në Angli të flitet për të javë pas jave, duke impresionuar me paraqitjet në kampionatin më të fortë në botë.

6 gola të shënuar në Premier League e kanë bërë Chelsea që të reflektojë për të ardhmen e sulmuesit, të cilit i zotëron kartonin. Mundësitë janë dy, ta shesë duke përfituar një shifer të konsiderueshme me dhjetra milionë euro, ose edicionin e ardhshëm t’i bëjë vend në “Stamford Bridge”.

Ky edicion futbollistik po reuzlton tepër i suksesshëm për djemtë kuqezinj dhe trajneri Edoardo Reja do ketë luksin që në ndeshjet e ardhshme të ketë luksin pse jo që të përzgjedhë për të ftuar në kombëtare, gjithnjë nëse gjërat do të vijojnë me të njëjtin ritëm.

Ndeshjet e radhës për kombëtaren do të jenë në fundin e muajit të ardhshëm në miqësoret kundër Spanjës në datën 26 në Barcelonë dhe tre ditë më vonë ndaj Gjerogjisë në Shqipëri./Supersport

Top Channel