Kombëtarja U21 do të luajë këtë muaj ndeshjet miqësore me Luksemburgun dhe Spanjën respektivisht në 13 dhe 17 nëntor, dy ndeshje këto që janë në kuadër të përgatitjeve për Evropianin e 21 vjeçarëve ku kuqezinjtë janë kualifikuar direkt pasi Shqipëria është një prej vendeve organizatore të kompeticionit.

Trajneri Alban Bushi, pasi publikoi listën e futbollistëve të grumbulluar foli për këto dy ndeshje duke i konsideruar si të rëndësishme.

‘Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe shumë të forta. Luksemburgu është një ekip shumë i mirë, që është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit. Na ka mundur 1-0 dhe tashmë kemi mundësinë të marrim një lloj revanshi në fushën tonë, pasi luajmë përpara tifozëve tanë, pas pothuajse një viti. Mendoj dhe besoj se të dyja ndeshjet, si këto të tanishmet, ashtu edhe ato të marsit, mendojmë t’i zhvillojmë në Air Albania, për t’u përshtatur edhe me fushën dhe me ambientin, pasi do të na shërbejnë edhe për t’u përgatitur me fushën dhe ambientin. E kemi vlerësuar shumë Luksemburgun dhe kemi një listë shumë të fortë lojtarësh-tha Bushi-Na mungojnë dy futbollistë të rëndësishëm, si Fikaj dhe Burak Alili, të cilët kanë qenë titullarë dhe pjesë e rëndësishme e formacionit. Ata janë të dëmtuar. Megjithatë, kemi edhe lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm, si Sina dhe Fetaj, të cilët janë pjesë e ekipit A. Shpresojmë që për ndeshjen me Spanjën të rikthehen, pasi ekipi luan më datë 15 në Hungari’.

Alban Bushi e përqendroi vëmendjen te sfida me Spanjën ku ai theksoi se skuadra e tij do të japë gjithçka për të marrë maksimumin nga kjo përballje.

‘Spanja është një ndeshje speciale. Është një ekip nga më të mirët në botë në nivelin U-21. Një ekip teknik, që zotëron topin dhe nuk të lë të luash. Por ne e dimë shumë mirë strategjinë tonë. Duhet të jemi sa më kompaktë, ashtu siç kemi qenë në ndeshjet e fundit, sa më të fortë dhe sa më agresivë. Ne kemi karakter si ekip dhe identitetin tonë. Nuk kemi absolutisht frikë nga Spanja. Nuk diskutohet që do të luftojmë deri në vdekje, pa u dorëzuar dhe pa pranuar humbjen përballë saj-vijoi Bushi-Ndeshja me Spanjën do të jetë speciale, një përballje shumë e bukur, të cilën do të doja ta luaja edhe vetë. Do të japim gjithçka, edhe jetën, për të mos u mundur nga kjo skuadër’.

Në fund trajneri i Kombëtares U21 shprehu dëshirën që në stadium për këto dy ndeshje të jenë sa më shumë tifozë për të mbështetur skuadrën kuqezi

‘Nuk mendoj se tifozët duhet të vijnë vetëm me Spanjën, por duhet të vijnë edhe me Luksemburgun. Ata kanë qenë gjithmonë mbështetja jonë. Sa herë që kemi luajtur në Air Albania, kemi pasur shumë tifozë. Besoj dhe shpresoj që do të jenë të pranishëm edhe në ndeshjen me Luksemburgun, sepse kemi përballë një kundërshtar që duhet vlerësuar shumë. Ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje, për të dominuar në lojë dhe për ta mundur me rezultat. Kemi nevojë për ta. Futbolli pa tifozë nuk është i kënaqshëm dhe nuk është i bukur. Janë pikërisht tifozët ata që i japin bukurinë këtij sporti. Uroj që të vijnë sa më shumë, si në ndeshjen me Luksemburgun, ashtu edhe në atë me Spanjën-tha Alban Bushi.

Top Channel