Nis media sociale e Donald Trump ‘Truth Social’, përdoruesit ankohen për listën e pritjes (fotot)

21/02/2022 18:12

Platforma e medias sociale e ish-presidentit amerikan Donald Trump, e quajtur ‘Truth Social’ është tashmë në aktivitet dhe mund të shkarkohet nga App Store.

Por shumë përdorues janë ankuar në rrjetin Twitter për listën e gjatë të pritjes për t’u bashkuar me portalin.

Pasi u përjashtua nga platforma si Twitter, Facebook e Youtube, në janar 2021, ish presidenti mori çështjet në dorën e tij duke njoftuar nisjen e platformës së tij.

Aplikacioni duhet të shfaqej online më 21 shkurt, por u hap për testim dhe të premten.

Djali i madh i Trump, Donald Trump Jr kishte shpërndarë një pamje të rrjetit duke promovuar nisjen e tij të pritur, teksa shkruhej: “Bëhu gati! Presidenti yt i preferuar do të takojë së shpejti!”

Përdoruesit jepnin opinionet e tyre në rrjetin Twitter ku shumë prej tyre thonin se ishin lënë në pritje prej “kërkesës së madhe”.

Apple ka nisur të dërgojë njoftimet se aplikacioni është i gatshëm për t’u shkarkuar.

Por disa përdorues ankoheshin se nuk ishin regjistruar dot edhe pas shkarkimit të aplikacionit.

Media e re e ish-presidentit është krijuar nga grupi Trump Media & Technology Group (TMTG), dhe angazhohet të sjellë “një eksperiencë përfshirëse dhe pa censurë”, sipas mediave.

Mbetet për t’u parë nëse kjo liri e premtuar do të pranohet nga standardet e Apple e Google.

Top Channel