Fitore nën ritmet sambas, Egnatia feston dhe zhyt në krizë Skënderbeun

19/02/2022 18:06

Egnatia rigjen fitoren në Abissnet Superiore pas pesë javësh. Ekipi nga Rrogozhina mposhti 2-0 Skënderbeun në “finalen” e mbijetesës, falë golave dy brazilianëve Pedro Augusto dhe Jackson.

Suksesi i sotëm ka ngjitur Egnatian në vend të shtatë me 19 pikë, po aq sa numëron edhe Dinamo. Përballja e luajtur në “Arena Egnatia” ishte e luftuar dhe plot raste. Krizë tek ekipi korçar, që sot regjistroi humbjen e pestë radhazi në kampionat.

Duranski dhe Agbekpornu dhanë sinjalet e para për vendasit, të cilët ia dolën të kalojnë në avantazh pas çerek ore lojë. Rexhepi grushtoi gjuajtjen e Ilirid Ademit, por nuk kishte çfarë të bënte përballë Pedro Augustos.

Goli i pestë në kampionat për sulmuesin brazilian, teksa Dajan Shehi dhe Elvi Berisha iu afruan barazimit. Kryesori Meta largoi me të kuq zv trajnerin e Skënderbeut Gentian Liço për protesta.

Pjesa e dytë ishte edhe më e bukur. Ilirid Ademi iu afrua golit për ekipin e Zekirija Ramadanit me një kthesë të bukur pas një skeme, por topi përfundoi mbi tra. Belajdi Pusi pati një shans të artë, por nuk e devijoi topin në rrjetë.

Më pas provoi edhe Alfred Mensah. Sulmuesi ganez kreu dy driblime të bukura në zonën e Egnatias, por Puja priti pa probleme gjuajtjen e dobët të Mensah. Pedro Augusto iu afrua golit të dytë personal, teksa minuta e 76-të solli edhe shpërthimin e tifozëve në stadium.

Braziliani Jackson gjeti trekëndëshin e portës korçare pas një gjuajte shumë të bukur. Topi preku shtyllën përpara se të ndalej në rrjetë, dhe 2-0 për Egnatian, që ia doli t’i menaxhonte mirë minutat e mbetura.
76′ Eurogol në “Arena Egnatia”. Jackson realizon një gol shumë të bukur, 2-0 për Egnatian, tifozët vendas në festë.

74′ Aksion i bukur i Egnatias. Pedro Augusto bën gjithçka mirë, kombinon me Jackson, por braziliani gabon në fund duke humbur mundësinë e golit të qetësisë.

67′ Alfred Mensah shmang Krasniqin dhe Krivanjevën, por gjuajtja e sulmuesit afrikan nuk ka potencë.

66′ Skënderbeu pranë barazimit. Elvi Berisha vepron bukur në krahun e djathtë dhe kroson në zonë, Pusi nuk koordinohet duke humbur një shans të artë.

62′ Skemë e bukur e Egnatias. Ilirid Ademi merr një top nga këndorja, por kthesa e bukur e ish-lojtarit të Laçit përfundon mbi kuadrat.

60′ Goditje këndi për Skënderbeun. Kroson Zguro, Vitija godet mbi traun e portës.

52′ Kroson Berisha, tenton Zguro me kokë, pret pa probleme Puja.

46′ Ndërhyrje e gabuar e Uerdi Marës ndaj Jackson, karton i verdhë për numrin 10 të Skënderbeut.

40′ Allmuça fiton duelin me Frashërin, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën.

32′ Momenti i Skënderbeut. Elvi Berisha lëviz bukur në krahun e majtë, shmang Krasniqin në zonë, por gjuajtja është për t’u harruar.

30′ Rasti i parë për Skënderbeun. Shehi kërcen më lart se të gjithë pas një goditje këndi, por goditja me kokë e qendërmbrojtësit nuk ka saktësinë e duhur.

26′ Protesta nga stafi korçar. Meta i tregon kartonin e kuq zv trajnerit Gentian Liço.

25′ Kartoni i parë i verdhë. Dajan Shehi ndëshkohet pas një dyluftimi ajror me Jackson.

15′ Egnatia në avantazh. Rexhepi pret gjuajtjen e Ilirid Ademit, përfiton Pedro Augusto që kalon ekipin vendas në avantazh.

14′ Vendasit në sulm. Agbekpornu tenton me një gjuajtje të menjëhershme, por është e pasaktë.

11′ Duranski tenton me një diagonale, por nuk ka forcë dhe saktësi.

5′ Egnatia pretendon për penallti, por topi prek fytyrën e mbrojtësit Melos Bajrami.

3 Alfred Mensah ul një top për Elvi Berishën, i cili tenton një diagonale të menjëhershme.

Egnatia-Skënderbeu është ndeshja e parë e javës së 21-të në Abissnet Superiore. “Finalja” e mbijetesës do të nisë në orën 13:45 dhe do të transmetohet në Supersport 3. Dy ekipet ndajnë vendin e parafundit me nga 16 pikë, teksa trajnerët Zekirija Ramadani dhe Migen Memelli kanë zgjedhur taktikat dhe titullarët e këtij dueli.

Ekipi nga Rrogozhina do të zbresë në fushë me skemën 4-3-3, ndërsa korçarët nuk heqin dorë nga “5-3-2”-i tyre. Pedro Augusto është preferuar përpara Delarge në majë të sulmit, me brazilianin që do të mbështetet nga krahët nga dyshja Ademi-Jackson.

Ndryshime në qendër të mbrojtjes për Skënderbeun. Vitija dhe Bajrami do e fillojnë ndeshjen si titullarë në vend të Dwoumfour dhe Sadriut. Shkodrani Pusi do të formojë treshen e mesfushës me Marën dhe Vangjelin, teksa golat priten nga Berisha dhe Mensah./ Supersport

Top Channel