Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos shkarkojë presidentin Ilir Meta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikuar në faqen e saj, ndërsa vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
Në këtë mënyrë shfuqizohet vendimi i marrë nga Kuvendi që votoi në datën 9 qershor 2021 për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Kështu, Ilir Meta do të mbyllë mandatin e tij të plotë që përfundon në korrik të këtij viti. Gjykata njofton se faktet e paraqitura nga Kuvendi nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Ndër të tjera, thuhet se nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
– Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
– Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Top Channel