Ngrihet Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, Manastirliu: Pagë e plotë e prindit për fëmijët

14/02/2022 15:51

Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” është në funksion nga kjo e hënë, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit për mbështetjen me paketën e plotë për fëmijët të “Dëshmorëve të Atdheut”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj tha se kjo është një tjetër dëshmi e angazhimeve të qeverisë shqiptare për ta bërë këtë vit, vitin e fëmijëve.

“Dhënia e statusit për Fëmijë në Përkujdesje të Republikës do të jetësohet menjëherë pas kësaj mbledhjeje të parë. Ashtu sikurse ne të gjithë e dimë ka qenë një angazhim i vetë Kryeministrit Rama për iniciimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm, i cili mbron fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e atyre të cilët kanë dhënë jetën në shërbim të tjetrit, kanë sakrifikuar jetën e tyre për ata të cilët kanë pasur afër dhe për t’i shpëtuar ata. Ashtu sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin “Dëshmor i Atdheut”, por që deri më sot përfitimet kanë qenë të kufizuara përsa i përket fëmijëve”, tha Manastirliu.

Duke folur për përfitimet që garanton ligji i ri, Manastirliu tha: “Ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare nëse vazhdon edhe shkollën e lartë. Është një hap përpara në të gjitha politikat tona për mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror. Fakti që ne sot jemi këtu dhe miratojmë të gjithë paketën e instrumenteve për ta bërë realitet sa më shpejt të jetë e mundur këtë ligj, tregon edhe një herë angazhimin dhe zbatimin e atyre premtimeve që ne kemi dhënë”.

Manastirliu bëri me dije që në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të dalë njoftimi për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke theksuar se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit.

“Menjëherë pas këtij Komisioni në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të dalë ky njoftim për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke plotësuar një set dokumentesh por edhe duke i lehtësuar nga Sekretariati Teknik për të gjitha to vërtetime apo dokumente që vetë ne, shtet me shtet mund t’i marrim duke e bërë dhe më të lehtë pjesën e aplikimin në këtë proces të përfitimit të statusit. Ashtu sikurse ne e kemi vendosur do të jetë i hapur përgjatë gjithë vitit aplikimi. Pra ne do të presim përgjatë gjithë vitit aplikime të ardhura nga vetë ata të cilët do të përfitojnë këtë status, pra personat e familjes, familjarë të fëmijëve, kujdestarë të tyre, prindi i cili është kujdestar i fëmijës por gjithashtu edhe institucione apo organizata jo fitim prurëse që kanë tagrin me prokurë të posaçme për aplikuar fëmijët në këtë përfitim të statusit”, bëri me dije Manastirliu.

Komisioni Qendror është i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA