Një minikampionat futbollit dhe basketbolli për fëmijë u organizua sot në Parkun Olimpik, në “Ditën Kombëtare të Sportit në Katar”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i pranishëm në aktivitet kritikoi Federatën Shqiptare të Futbollit për mungesë investimesh.

 Unë edhe miku im, Ambasadori Al Marri, e kemi bërë punën tonë. Kemi investuar në shkolla dhe terrene sportive. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, duke filluar nga fushat në Laprakë te fushat te Parku i Liqenit. Por, sikur të gjithë ata që e kanë për detyrë të bëjnë fusha futbolli, ta kishin bërë detyrën e tyre, sot do të kishim 100 fusha sportive në Tiranë.

Ai falenderoi shtetin mik të Katarit për një sërë veprash të reja arsimore në kryeqytet.

“Shkolla “Lasgush Poradeci”, “Kopshti 42”, shkolla “16 Shtatori” dhe shkolla “Jeronim De Rada” janë 4 investime fantastike në shkolla dhe terrene sportive, që provojnë më së miri miqësinë speciale mes dy vendeve tona. Katari ka vite që ka investuar në sport, ama vetëm vjet, në lojërat olimpike të Tokios, Fares El Bak, peshëngritësi nga Katari, arriti të sjellë medaljen e parë olimpike, duke u shpallur kampion bote në peshën 96 kg. Kjo tregon se edhe një vend i pasur duhet të investojë në sport për vite të tëra, derisa të marrë një medalje.

Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al Marri vlerësoi faktin që aktivitete të tilla sportive, janë bërë të përvitshme në Tiranë.

 

Top Channel