Shtohen pretendentët për Brojën, tre klube të tjera i bëjnë ofertë Chelsea-t

28/01/2022 14:47

Të gjithë pas Armando Brojës. Leeds United, Everton dhe Wolves janë shtuar në garën për shërbimet e sulmuesit 21-vjeçar shqiptar, që në gjysmën e parë të sezonit në Premier League, ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij me fanellën e Southampton.

Pikërisht “shenjtorët” kanë trokitur të parët në zyrat e Chelsea-t, duke treguar gatishmërinë të paguajnë deri në 40 milionë euro për të blerë kartonin e Brojës, që është në huazim deri në fund të sezonit, ndërsa tani mediat angleze zbulojnë se në garë janë përfshirë edhe klube të tjera.

Sulmuesi shqiptar ka spikatur jo vetëm me 7 golat e shënuar në 21 ndeshje, por mbi të gjitha me performancën e tij, që ka ardhur në rritje nga java në javë dhe së fundi ishin mbrojtësit e Manchester City-t që konfirmuan vështirësinë e të kontrolluarit të Brojës.

Leeds United po vuan jo pak mungesën e Patrick Bamford, ashtu si Everton që verën e ardhshme pret t’i largohen si Calvert-Lewin, ashtu edhe Richarlisson, ndaj shohin te bomberi kuqezi, emrin ideal për të udhëhequr repartin ofensiv.

Nga ana tjetër, trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl deklaroi se “shenjtorët” kanë mbajtur fjalën që i kanë dhënë Brojës dhe presin që ai t’ua shpërblejë, duke firmosur një transferim përfundimtar në klubin me qendër në “St. Mary’s Stadium”.

Tani topi është në këmbët e drejtuesve të Chelsea-t, që do të duhet të zgjedhin nëse do ta rikthejnë në “Stamford Bridge” për t’i besuar udhëheqjen e sulmit, apo do të vijojnë të këmbëngulin te Lukaku dhe të shesin Brojën për të arkëtuar një shifër prej rreth 35-40 milionë paundësh./ Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA