Tregu i sigurimeve u rrit me 16% për vitin e kaluar.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se volumi i përgjithshëm i tregut, i matur sipas primeve të shkruara bruto, arriti në 19.3 miliardë lekë ose pothuajse 160 milionë euro. Primet e shkruara bruto kaluan edhe nivelin e shënuar para pandemisë në vitin 2019, me 9.7% më shumë.

Megjithëse tregu i është kthyer tendencës normale të rritjes, me ritmet e para pandemisë, sërish Shqipëria ka një ndër tregjet e sigurimeve më të vegjël në Europë, me rreth 55 euro prime sigurimi për frymë në vit.

Në ndarjen sipas dy segmenteve kryesore, tregu i jo-jetës dominoi edhe për vitin e kaluar, me më shumë se 92.4% të primeve të shkruara bruto, ndërsa anë vlerë primet për këtë segment u rritën me 15%. Tregu i sigurimit të jetës shënoi ritme të rritjes pak më të larta, me 22.7%, por sërish primet në këtë segment zënë një peshë relativisht të ulët ndaj totalit të tregut, me 7.4%. Rritja e tregut të sigurimit të jetës u mbështet sidomos nga produkti kryesor, sigurimi i jetës së debitorit. Falë rritjes së kredisë bankare, ky produkt shënoi një rritje vjetore me 28.7%, ndërsa pesha e tij në tregun e sigurimit të jetës arriti në 68.3%, nga 65.1% që kishte qenë një vit më parë.

Tregu më i madh, ai i sigurimeve të jo-jetës edhe vitin e kaluar u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike, që sollën 66.7% të primeve të shkruara bruto të tregut. Megjithatë, pesha specifike e këtyre produkteve shënoi një rënie të lehtë me rreth 2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Produktet e lidhur me lëvizjet ndërkufitare, si kartoni jeshil apo sigurimi kufitar shënuan rritje më të lartë të primeve dhe një zgjerim të peshës së tregut. Produkti më i rëndësishëm për nga volume, sigurimi i brendshëm TPL shënoi një rritje më të ulët, me 7.6%, ndërsa pesha e tij në totalin e primeve të tregut të jo-jetës zbriti në 56.6%, nga 60.9% që kishte qenë një vit më parë.

Kontributi i sigurimeve vullnetare në treg regjistroi rritje krahasuar me një vit më parë, megjithatë kjo rritje erdhi kryesisht si rezultat i zhvillimeve në tregjet e tjera, të lidhura. Produkti kryesor i sigurimeve vullnetare, sigurimi i pronës ndaj katastrofave, vitin e kaluar shënoi një rritje të primeve të shkruara bruto me 32.7%, ndërsa pesha e këtij produkti në treg u rrit në 9.8%, nga 8.5% që kishte qenë një vit më parë.

Rritja e këtij produkti vlerësohet se është ndikuar ndjeshëm nga zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nga zgjerimi i kredisë për prona. Me rritjen e çmimeve, kreditë bankare po marrin vlera mesatarisht më të larta dhe rrjedhimisht edhe sigurimi i kolateraleve kërkohet për vlera më të mëdha. Si rrjedhojë, edhe primet e sigurimit po rriten.

Rritje të primeve me 22.5% shënoi edhe sigurimi KASKO i mjeteve motorike. Ky produkt ligjërisht është vullnetar, por praktikisht është mjaft i lidhur me financimet me lizing, si kusht i detyrueshëm i institucioneve financiare. Vitin e kaluar tregu i lizingut vlerësohet se u përmirësua ndjeshëm, falë gjallërimit të ekonomisë, rritjes së turizmit dhe kërkesës më të lartë për makina me qira.

Një tjetër produkt që shënoi rritje të lartë ishte edhe sigurimi i përgjegjësive civile, me 23% më shumë krahasuar me vitin 2020. Rritja në këtë produkt është sidomos e lidhur me shtimin e ndërtimeve të reja. Pjesërisht, edhe këtu ka një kontribut nga një sigurimi i detyrueshëm ligjërisht, ai që mbulon përgjegjësitë e ndërtuesve./ Monitor

Top Channel