Pas hyrjes në lojë të policisë metropolitane për të hetuar shkeljet anti-covid të bëra nga Boris Johnson në ambientet e kryeministrisë si një rast tjetër kur ai është zbuluar se ka festuar ditëlindjen me 30 veta në qershorin e 2020 kur të gjithë britanikët ishin në lockdown, vështirë të parashikosh se sa do të qëndrojë akoma në pushtet kryeministri britanik.
Kjo javë pritet të jetë vendimtare në horoskopin politik të Boris Johnson, i cili siç po zbulohet duket se po zhbën arritjet e tij në luftën kundër koronavirusit si fushata e vaksinimit dhe hapja e ekonomisë pas gabimeve trashanike në muajt e parë të pandemisë.
E ndërsa pandemia nga virusi po shkon drejt endemisë, jo e gënjeshtrave të kryeministrit Johnson në përpjekje për të justifikuar shkeljet e ligjeve që ai vetë i hartoi, po shkojnë në drejtim të kundër.
Sakaq duke filluar nga 11 shkurti kushdo që është plotësisht i vaksinuar nuk do ketë më nevojë të bëjë tamponë përpara ose pas mbërritjes në Britani, dhe as të karantinohet duke kursyer mbi 100 stërlina në buxhetin e udhëtarëve. Ndërsa ata që nuk janë vaksinuar nuk do kenë nevojë për tampon në ditën e 8 dhe do mund të shmangin karantinën.
Nga kjo e enjte nuk do ketë nevojë as për pasaporta covidi dhe as për mbajtjen e maskave. Të gjitha këto masa aplikohen, pasi vala e Omicronit është drejt shuarjes dhe numri i infektimeve dhe vdekjeve po bien me shpejtësi nga dita në ditë, dhe pandemia në përditshmërinë e saj në rrugët dhe qytetet britanike duket si një ëndërr e keqe.
Top Channel