Pasi takimi i tij në Gjenevë të Zvicrës me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dështoi të prodhonte rezultatin e shpresuar për uljen e tensioneve mbi Ukrainën, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken la të kuptohej se Amerika mund të lëshojë pe, duke ofruar një takim mes vetë Vladimir Putinit dhe Joe Bidenit.

“Nëse do të provohej e dobishme dhe produktive një përballje e dy presidentëve për të biseduar, për t`u angazhuar realisht e për të avancuar përpjekjet e shtensionimit të situatës, mendoj se ne jemi plotësisht të përgatitur për një gjë të tillë”, u shpreh kryediplomati amerikan.

Moska ende nuk ka reaguar ndaj kësaj ftese të tij. Që në fillim të takimit të tij më Lavrovin, u bë e qartë nga të dyja palët se pritshmëritë për progress ishin të ulëta dhe ashtu rezultoi vërtet.

Blinken dhe Lavrov megjithatë thanë se diçka u arrit megjithatë, e ky ishte fakti që  “jemi në një rrugë më të qartë për sa i përket të kuptuarit të shqetësimeve të njëri-tjetrit.” Sekretarja e shtypit Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të shkojë në Camp David këtë fundjavë për t’u konsultuar me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare rreth situatës dhe do të japë një përgjigje me shkrim për propozimet e Moskës javën e ardhshme.

“Ne do të formulojmë me shkrim shqetësimet serioze që ne dhe aleatët dhe partnerët e tjerë kemi në lidhje me veprimet e Rusisë, si dhe idetë se si mund të forcojmë ndjenjën e sigurisë tek njëri-tjetri në të ardhmen”,  u shpreh ajo.

Qëndrimet e Uashingtonit dhe Moskës për krizën mbi Ukrainën vazhdojnë të jenë të pandryshuara.

Top Channel