Aksident në Turqi, 11 të vdekur dhe 27 të plagosur pas përplasjes së autobusit turistik me kamionin

11/10/2026 16:17

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në rajonin e Akhisarit, në Manisa të Turqisë.

Aksidenti ndodhi të dielën në mëngjes, më 11 tetor, pranë pikave të pagesës së Akhisarit, në autostradën Gebze-Orhangazi-Izmir, ku një autobus turistik u përplas me një kamion dhe më pas u përmbys.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë autobusin e përmbysur, ndërsa ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar brenda automjetit, duke thyer xhamat e tij.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, policia, xhandarmëria, zjarrfikësit dhe ambulancat. Të plagosurit u transportuan në spitalet përreth për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Prefektura e Manisës konfirmoi se 11 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë, ministri i Brendshëm turk, Mustafa Ciftci, bëri të ditur se, sipas vlerësimeve fillestare, numri i të plagosurve ishte 37.

Autoritetet turke po ndjekin nga afër situatën, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.

Top Channel