Plakja sjell një sërë ndryshimesh në trup dhe kapsllëku është me të vërtetë një nga ato probleme shëndetësore që lidhen me moshën.
Për të kuptuar më mirë shkaqet dhe se çfarë mund të bëni për këtë, sugjerohet të vazhdoni leximin më poshtë.
Mënyra e të ushqyerit
Ajo që vendosni në pjatën tuaj mund të nxisë ose parandalojë jashtëqitjen e rregullt. Dhe për shumë njerëz problemi është konsumi i pakët i fibrave. Përfitimet e fibrave përfshijnë tretje më të mirë dhe funksionim më të mirë të zorrëve, kështu që kur nuk merrni mjaftueshëm mund të vuani nga kapsllëku. Për më tepër, disa të moshuar përjetojnë një humbje të shijes dhe nuhatjes ndërsa plaken. Kjo sipas ekspertëve mund t’i bëjë ata të zgjedhin ushqime shumë të përpunuara që janë më të shijshme por që përmbajnë pak ose aspak fibra. Sugjerohet të mbushni pjatën tuaj me ushqime të pasura me fibra si frutat, perimet, drithërat dhe bishtajoret.
Mungesa e hidratimit
Uji është gjithashtu jashtëzakonisht i rëndësishëm për shëndetin e zorrëve. Kjo për shkak se uji zbut ushiqimin në zorrë dhe bën lëvizjen e tij më të lehtë. Për sa kohë që mjeku juaj nuk ju ka udhëzuar të bëni ndryshe, qëndroni të hidratuar duke pirë rreth tetë gota ujë në ditë. Gjithashtu ju mund të konsumoni më tepër lëngje dhe fruta.
Rënie e lëvizshmërisë së zorrëve
Me kalimin e moshës, masa muskulore bie dhe kjo mund të ndikojë në lëvizshmërinë e zorrëve dhe të çojë në kapsllëk tek të moshuarit. Kjo ndodh për shkak se muret e zorrëve janë të veshura me shtresa muskulore, të cilat kontraktohen për të lëvizur ushqimin përmes sistemit tuaj të tretjes. Pra, kur këta muskuj nuk funksionojnë si më parë, mund ta gjeni veten në telashe. Në këtë rast mjeku juaj mund t’ju japë një ilaç për t’ju ndihmuar.
Medikamente të caktuara
Me moshën, ka një probabilitet më të madh për të zhvilluar probleme shëndetësore që kërkojnë ilaçe. Fatkeqësisht, disa ilaçe mund të bllokojnë sistemin tuaj tretës. Për shembull, shumë të moshuar marrin diuretikë për të menaxhuar sëmundje të ndryshme, por këto barna mund të jenë dehidratuese. Nëse dyshoni se medikamentet tuaja janë shkaku, mos e ndaloni marrjen e tyre, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme. Por bisedoni me mjekun tuaj, i cili mund të jetë në gjendje të rregullojë dozën ose t’ju japë një ilaç tjetër. Përveç kësaj, sigurohuni që jeni duke pirë mjaftueshëm ujë, duke marrë fibra dhe duke u ushtruar çdo ditë.
Mungesa e lëvizjes
Njerëzit në moshë priren të lëvizin më pak dhe të qëndrojnë më shumë ulur dhe kjo mund të ngadalësojë punën e traktit gastrointestinal. Përpiquni të kryeni 30 minuta stërvitje ose aktivitet fizik në ditë. Nuk ka nevojë të jetë diçka shumë e mundimshme, një shëtitje e thjeshtë mund të bëjë ndryshimin./AgroWeb
Top Channel