Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon që dozat përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit t’i ofrohen fillimisht personave me imunitet më të dobët.
Në një konferencë për media të premten, OBSH ka thënë se rekomandon dozën përforcuese të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech, duke nisur nga grupet me prioritet të lartë, katër deri në gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.
Vitin e kaluar, OBSH u ka bërë thirrje vendeve të pasura që të shpallin moratorium për dozat përforcuese deri në fund të vitit 2021. Kjo thirrje ishte injoruar thuajse tërësisht.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara thotë se mbrojtja nga vaksinat zbehet pas një periudhe.
Studime të shumta kanë treguar se dozat përforcuese të vaksinave rikthejnë nivelin e imunitetit dhe ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmurjes së rëndë, duke përfshirë variantet Delta dhe Omicron të koronavirusit.
“Dozat përforcuese janë pjesë e programit të vaksinimit, por kjo nuk nënkupton përdorim të pakufizuar për të gjitha moshat”, ka thënë Kate O’Brien, drejtore për imunizim dhe vaksina.
“Ne vazhdojmë të kemi fokus të lartë në vaksinim të grupeve me prioritet të lartë”, ka thënë ajo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përkrahur dhënien e vaksinave të prodhuara nga Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës 5 vjeç e lart, në dozë të reduktuar.
Edhe vendet tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë kanë dhënë dritën e gjelbër për imunizim të fëmijëve, në vjeshtën e vitit të kaluar.
Top Channel