Anëtari i Komisioni të Rithemelimit të PD-së, Çlirim Gjata në një lidhje live në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja komentoi kallëzimin penal ndaj kreut të PD-së, Lulzim Bashën dhe Gazment Bardhit lidhur me protestën e 8 janarit.

Sipas tij, protestuesit demokratë janë dhunuar nga grupi i paralimitarëve të armatosur që ndodheshin brenda godinës së selisë. Gjata tha se në polici ishte denoncuar para protestës se në selinë blu po qëndronin persona të armatosur dhe se policia nuk veproi.

“Kallëzimi penal është bërë për dhunën që është ushtruar ndaj demokratëve nga një një grup paramilitar që ishte strehuar në godinën e PD më datën 8 janar. Ka një deklaratë zyrtare të prokurorit të çështjes ku po mbaheshin masat e sigurimit ndaj të arrestuarve të datës 8. U tha se në datën 6 dhe 7 në polici kanë vajtur denoncime se në godinën e Partisë Demokratike ka persona të armatosur. Policia nuk ka bërë asgjë, jo se ne nuk e dinim, por kjo u tha në seancë gjyqësore nga prokurori. Policia pse nuk ndërhyri ta kontrollonte godinën që me datë 6 dhe 7, por e la ashtu dhe të vetmit e masakruar ishin demokratët. Asnjë palë tjetër, as polic, asnjë brenda godinës. Atje kishte armë dhe mjete të tjera të paligjshme. Nga godina është hedhur lëndë zjarrfikëse, gaz kundër anëtarëve të PD që donin të hynin në godinë, që ishin të maskuar. Ajo do licencë nga policia, se vetëm policia e përdor atë dhe quhet armëmbajtje pa leje. Ne kemi fotografinë që është një person që hedh gaz dhe një punonjës policie. Dy persona i kanë lënë ata Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi. Ndërhyrja e policisë ishte në mbrojtje të Bashës politikisht”, tha Gjata.

Kujtojmë se protesta e 8 janarit, e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ishte e dhunshme, ku demokratët tentuan të hynin në selinë blu me çdolloj mënyre, duke përdorur edhe mjete të forta, ndërsa kjo e fundit ishte blinduar.

U desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjendjen e tensionuar, ndërsa Berisha paralajmëroi vijim të protestave për të larguar kreun aktual Lulzim Bashën nga posti i kryetarit.

Top Channel