Basha me demokratët e degës 7: PD nuk është strehë e së kaluarës

19/01/2022 18:46

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar të martën në darkë një takim me demokratët e Degës nr. 7 në Tiranë.

Në fjalën e tij, Basha theksoi se PD-ja nuk është streha e së kaluarës, duke nënkuptuar Sali Berishën, por shtoi se demokratët duhet të zgjedhin të ardhmen e tyre.

“Demokratët e Degës nr. 7 në Tiranë kanë zgjedhur të ardhmen, pa mohuar në asnjë çast të mirat që kemi bërë për shqiptarët, por pa u bërë strehë e gabimeve dhe të metave të së kaluarës. Ne kemi një qëndrim të vendosur kundër korrupsionit, si armik i mirëqenies së shqiptarëve, dhe një vizion të qartë për t’i dhënë fund tranzicionit, duke u bashkuar nëpërmjet vlerave me të gjithë ata që duan të kontribuojnë me zemër për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Basha.

Ditët e fundit, kryetari i PD Lulzim Basha ka zhvilluar takime në Fier dhe Tiranë, ku është takuar me të rinj dhe gra demokrate dhe qytetarë të shumtë. Ai është pritur me protesta nga disa mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Top Channel